“Të dashur shokë..”, si e justifikoi Rama në Asamble dhënien e vulës Berishës!
Të dashur shokë,
E di se që nga dita e djeshme kur gjykata ia dha vulën Berishës, kanë lindur shumë pikëpyetje nga ana juaj.
Duhet theksuar se kjo së pari u bë për shkak se nga ana e Këshillit të Evropës kishin filluar kritikat për keqtrajtim të moshës së tretë dhe mungesë kujdesi e qeverisë time ndaj tyre. Duke parë që Berisha është fare moshë e katërt, e pamë të udhës që vula t’i kalonte atij. E ku ka tregues më të mirë se Berisha për qasjen dhe kujdesin tonë.
Afrimi i verës dhe i temperaturave të nxehta e bën të nevojshme që t’i jepej një kënaqësi atij, por edhe që t’i rrallonte daljet në penxhere, pasi kjo mund ta dëmtonte shëndetin e tij.
Besoj që të gjithë ju jeni të vetëdijshëm që ai është aseti ynë më i mirë për vazhdimësinë në pushtet. E di që edhe ashtu si ishim, rehat ishim, por duhet pak bojë se i kishte dalë boja fare kësaj pune.
Nëse do ia jepnim Bashës, kishte rrezik të dilnim 99.99% ku ata që nuk do na votonin do të ishin vetëm ata që do vdisnin ditën e votimit, ndaj edhe vendimi ynë ishte për Berishën. Pasi të gjithë biem dakord që gara do pak konkurrencë.
Ky vendim vë në punë edhe Ilir Metën i cili tani duhet të gjejë njerëz me kë ta mbushi partinë.
Kjo është një ndihmë e madhe edhe për median e cila ka çfarë të bluajë në muajt e verës, pasi kishin rënë në ripërsëritje.
Padyshim që është edhe një inkurajim për Belerin që t’i shtyjë me shpresë këto muaj që kanë mbetur.
Të dashur shokë,
Është koha që të gjithë të vrasim mendjen çfarë të bëjmë ndonjë gjë që të shtyjmë kohën, se kemi edhe pesë vite të tjera përpara dhe duhet pak fantazi. Nuk do t’i shpik vetëm unë idetë. Ja për shembull Beneti vuri një çelës në hyrje të Shkodrës dhe njerëzit po merren që të zbulojnë se çfarë do të thotë apo nënkupton ky simbol.
Dhe tani kthejuni punës pasi kam thënë që do rrimë në pushtet deri në vitin 2030, vit që përkon me fillimin e mandatit tonë të pestë./dritare.net
Fraksion.com