Socialistët rrëzojnë kërkesën për interpelancë me kryeministrin, Vokshi: Nuk do të ketë qetësi pa liruar Berishën!
Kërkesa e Sali Berishës për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama u rrëzua me 69 vota kundër dhe 29 pro.
Si përfaqësuese e grupit të demokratëve, fjalën e mori deputetja Abana Vokshi, e cila u shpreh se “interpelanca po mohohet pasi qeveria është vënë në shërbim të familjes kryeministrore”.
E gjithë qeveria është vënë në shërbim të familjes kryeministrore. Për t’i dhënë tendera vajzës, baxhanakut. Kontratat sekrete që i ka përfituar Ilir Beqaj, që bredh nëpër Tiranë, fsheh provat dhe vazhdon merr tenderat. Nuk e pranoj thotë Nikolla, se kjo interpelancë cenon privatësinë e familjes kryeministrore. Por, a keni cenuar jetët e mijëra qytetarëve me lejet e ndërtimit të dhëna thjeshtrës së kryeministrit, që po mbyt qytetarët, po me tenderat e Beqajt dhe Frangut, nuk po cenoni jetët e mijëra pacientëve? Ky parlament po kthehet në noter për të mbrojtur vjedhjen. Është kriminale kjo vjedhje“, tha Vokshi.
Deputetja shkoi më tej kur tha se në sallën e Kuvendit dhe jashtë saj nuk do të ketë qetësi pa u liruar Sali Berisha.
“Harruat që ai është Sali Berisha dhe nuk ka asgjë në botë që e ndal, e hoqët nga godina, i hoqët flamurin, e hoqët nga lista, duke ia hequr të drejtën çdo qytetari që e voton. E hetuar katër vite dhe nuk gjetët dot një provë. Sot e mbani në arrët pa akuzë, sepse ju keni frikë nga ai, keni frikë nga fjala e tij.
Dje ishte vetëm hapi i parë i kthimit aty ku duhet të ishte. Hapi i parë në betejën për mbrojtjen e pluralizmit, asgjë nuk do ta ndalë Berishën deri në largimin e këtij narkoshteti. Nuk do të ketë paqe në këtë sallë, as jashtë saj, pa liruar Sali Berishën. Sot i bëjmë ftesë çdo qytetari të na bashkohet, çdo politikani, të protestojmë për të drejtat tona”.
Fraksion.com