Prezantohet platforma digjitale Kombëtare e Turizmit, Rama: Shqipëria e 2030 do të jetë kampione në turizëm
Është promovuar sot kalendari turistik veror, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Platforma digjitale Kombëtare e Turizmit TEA tashmë është kthyer në një udhërrëfyes jo vetëm të eventeve në destinacionet turistike të Shqipërisë, po edhe me shumë njësi shërbimin duke kryer detyrën e një sporteli digjital “one stop shop”, me qëllim lehtësimin e qëndrimin e çdo turisti dhe vizitori në vendet e tyre të pushimit.
Kryeministri Rama tha se Shqipëria e 2030 do të jetë kampione në turizëm.
‘Më tutje akoma jemi të vetëdijshëm që ajo që duhet është më shumë se ajo që është bërë. Shqipëria e 2030 do të jetë një vend kampion padiskutim i këtij rajoni në turizëm që jo vetëm do të jetë stabilizuar në Champions Lague’ e Mesdheut por të këtë të plotësuara të gjitha ato pjesë të mozaikut që sot mungojnë.’- tha Rama.
Rama bëri me dije se në fund të këtij muaji do të hapet gara për ndërtimin e aksit Milot-Balldren dhe më pas Balldren-Muriqan për lidhje me Malin e Zi.
‘Kemi një sezon të ri që hapet me disa vepra të mëdha të infrastrukturës që i vihet në dispozicion udhëtarëve dhe turistëve duke filluar nga Tuneli i Llogorasë, një ide e vjetër, një zotim legjendar i të gjitha forcave politike në të gjitha fushatat i cili këtë sezon do të jetë i kalueshëm për ata që do të shkojnë në jug apo që do të vijnë nga jugu duke vazhduar me rrugën Orikum-Dukat që zbulon një tjetër pjesë të panjohur. Për të nisur me aksin Thumanë-Kashar një aks i rëndësishëm, por njëkohësisht ky aks është pjesë e korridorit blu. Ishte një tjetër ide shumë e përqeshur ku ne e prezantuam para se të vinim në qeveri. Sot jo vetëm është një korridor i miratuar, por është dhe një korridor që po ndërtohet. Aksi Thumanë-Kashar përfundon një nga segmentet e tij. Hapim garën në fund të këtij muaji për Milot-Balldren dhe pastaj Balldren-Muriqan për të bërë lidhjen e me Malin e Zi. Kjo infrastrukturë do të jetë e përfunduar brenda dekadës. Shqipëria e 2030 do të këtë një ofertë turistike spektakolare në aspektin e transportit.’- u shpreh Rama.
Nga ana tjetër kreu i qeverisë tha se punimet në aeroportin e Vlorës do të përfundojnë brenda këtij viti.
‘Aeroporti i Vlorës sipas të gjitha gjasave do të përfundojë punimet brenda këtij viti. Do të kalojë në periudhën e testit dhe certifikimeve në 6 mujorin e vitit të ardhshëm. Do të jetë operacional në sezonin ardhshëm turistik me një operator, që është aeroporti i Mynihut. Do të hapte gara për aeroportin e Gjirokastrës.’- tha Rama.
Në fund të fjalës së tij kryeministri Rama pati edhe një thirrje për emigrantët shqiptarë që punojnë në shtete fqinje e kryesisht në Greqi dhe në Itali, të cilët i ftoi që të vijnë të sjellin eksperiencën e tyre këtu në Shqipëri, pasi do të kenë paga konkurruese si në vendet ku punojnë.
‘Ata që punojnë në Greqi në hotele, restorante, kamerierë, menaxherë, nëse i bien lapsi krahasuar me ofertën që kanë këtu në sektorin e shërbimeve dhe nëse nuk dëgjojnë mediat nuk lexojnë portale dhe nuk marrin të mirëqenë të gjitha to llafet e kafeneve, llogaria në fund të muajit i del më mirë. Ata e dinë më mirë se të gjithë se janë në gjendje të ofrojnë paga konkurruese me Greqinë, të afërta me Italinë në këto shërbime dhe ndeshen në këtë pengesë psikologjike për të kuptuar se sot Shqipëria është e gatshme të përfshijë në tregun e punës ata të cilët atje kanë mësuar të punojnë në kuzhinë dhe kanë bërë eksperiencë duke iu ofruar një mundësi shumë konkurruese.’- tha Rama.
Fraksion.com