OBSH ngre alarmin: Duhani dhe alkooli “vrasin” 2,7 milionë persona çdo vit në Europë
Një raport i publikuar së fundmi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë zbulon se duhani, alkooli, ushqimet e përpunuara (UPF) dhe lëndët djegëse fosile kanë shkaktuar rreth 2.7 milionë viktima në vit në Europë
OBSH u ka bërë thirrje qeverive të vendosin rregulla më të ashpra për produktet që dëmtojnë shëndetin, shkruan The Guardian.
Sipas raportit industritë e fuqishme po nxisin sëmundjet dhe vdekjen e parakohshme duke abuzuar me marketingun dhe reklama, si dhe duke ndërhyrë në përpjekjet e qeverive për të parandaluar sëmundjet vrasëse si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe diabeti.
Raporti gjithashtu thekson se duhani, lëndët djegëse fosile, ushqimet e përpunuara dhe alkooli janë përgjegjës për më shumë se 7,400 vdekje çdo ditë në 53 shtetet e Europës.
Numri i përgjithshëm i viktimave në Europë ka arritur deri në 2.7 milionë persona. Shifrat pasojnë një studim të vitit 2023, i cili zbuloi se alkooli, duhani, ushqimet dhe pijet e përpunuara dhe lëndët djegëse fosile shkaktuan 19 milionë vdekje në vit globalisht.
OBSH vlerëson se duhani shkakton më shumë se 1 milion vdekje në vit, 10% e të gjitha vdekjeve në Europë
Gati 600,000 persona vdesin çdo vit nga lëndët djegëse fosile (5% e të gjitha vdekjeve), ndërsa alkooli shkakton më shumë se 400,000 vdekje në vit. Dhe më shumë se 350,000 njerëz vdesin çdo vit nga konsumimi i tepërt i mishit të përpunuar, pijeve me sheqer dhe ushqimeve të yndyrshme dhe të kripura.
Ndonëse shifrat janë alarmante, abuzimet përmes marketingut dhe reklamave në Shqipëri vazhdojnë dhe madje televizioni po përdoret si një formë për të promovuar cigaret elektronike. Sakaq, ato vijojnë të qarkullojnë dhe shiten “frikshëm” edhe në subjekte të vogla.
Fraksion.com