Nikolla: Kosova e lirë, e pavarur, euroatlantike po ndërtohet me mbështetjen e SHBA, NATO, dhe BE
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila ndodhet në Prishtinë për të marrë pjesë në festimet me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, përshëndeti në sesionin plenar festiv të Kuvendit të Kosovës.
Nikolla në fjalën e saj shprehu kënaqësinë që ndodhet në Prishtinë, për të festuar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, këtë ngjarjeje të shënuar për Kosovën, Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
“Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të Kosovës, i cili besoi dhe mbështeti, në një betejë të gjatë e të pamposhtur luftëtarët e ideve dhe të paqes, simboli i të cilëve u bë Ibrahim Rugova. Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të Kosovës, i cili besoi, mbështeti, luftoi bashkërisht dhe shndërroi në kauzë të vet luftën çlirimtare të luftëtarëve të luftës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbol i të cilëve u bë Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë që u flijuan në luftën për çlirimin e Kosovës”, tha Nikolla.
“Në agimin e shekullit dhe mijëvjeçarit të ri, Kosova u çlirua. Ky çlirim erdhi nga bijtë e saj. Ky çlirim ndodhi pasi ndërgjegjja, vullneti dhe aksioni i botës së lirë iu bashkua qëndresës për vite e dekada paqësore e më vonë edhe luftarake të një populli të etur për liri, shtet, vlera demokratike, paqe e progres shoqëror”, theksoi Nikolla.
Nikolla nënvizoi se, Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i vullnetit, mbështetjes dhe veprimeve të aleatëve të mëdhenj dhe partnerëve strategjikë të shqiptarëve, SHBA, NATO dhe BE.
“Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj. Me mbështetjen e tyre, e ardhmja euroatlantike e Kosovës është e sigurt. Pa ndihmën e tyre asgjë nuk është e garantuar”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Nikolla shtoi se, “Shqipëria mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizimin, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës. Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë. Çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës”.
“Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës po vijojnë partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin intensiv, mbështesin bashkëpunimin mes qeverive dhe institucioneve, në të mirë të shqiptarëve dhe paqes në rajon. Gëzuar, Kosovë, 25-vjetorin e çlirimit!”, theksoi Nikolla.
Para fillimit të sesionit plenar festiv, Kryetarja e Kuvendit. Lindita Nikolla, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe personalitetet e huaja pjesëmarrës u pritën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.