E martë, 3 Dhjetor, 2024
Latest:
AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë, një çerek shekulli nga dita e çlirimit

Kosova po shënon të mërkurën 25 vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999 trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo kremtohet si dita e lirisë së Kosovës.

NATO-ja vlerësohet se ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës, e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Ndonëse roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohet thelbësor në çlirimin e vendit, Kosova po e shënon sot një çerekshekulli nga ajo ditë në një periudhë të asaj që duket si një zbehje në marrëdhënien e qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mospajtimet kryesore lidhen me mos hedhjen e hapave nga qeveria e Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që e la Kosovën jashtë agjendës së takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës muajin e kaluar, ku pritej të votohej për anëtarësimin e saj në këtë organizatë.

Ekspertët thonë se diplomacia perëndimore është e zhgënjyer me qeverinë e Kosovës ndërsa tërheqin vërejtjen se mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë mbetet thelbësore në rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë euroatlantik.

Kosova mbetet e fundit në rajon në proceset integruese ndërsa përparimi i saj në këtë drejtim është i lidhur ngushtë edhe me zbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Por tensionet e vazhdueshme me Serbinë, posaçërisht rreth zhvillimeve në veri të vendit, duket sikur e kanë zhvendosur vëmendjen nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje drejt menaxhimit të krizave.

Nga 50 mijë trupa të NATO-s sa u vendosën 25 vjet më parë në Kosovë, numri i tyre është zvogëluar vit pas viti. Por, vitin e kaluar NATO-ja vendosi trupa shtesë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, të cilat kanë bërë që Kosova të përballet me një nga krizat më të thella në marrëdhëniet e saj me aleatët perëndimorë.

25 vjet pas luftës, Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore.

Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon./VOA

 

Fraksion.com