AktualitetTë fundit

Humb jetën turisti në Jezercë, Policia: Rrëshqiti nga lartësia

Një turist nga Bullgaria ka humbur jetën, pasi dyshohet se ka rrëshqitur nga maja e Jezercës, teksa shoku i tij ka arritur të shpëtojë.

Policia e Shtetit njofton se, dy turistë bullgarë gjatë ditës së djeshme kanë qenë duke eksploruar zonën e quajtur “Maja e Jezercës”, kur kanë mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të vështirë.

Sipas Policisë, “mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se 2 turistë bullgarë, gjatë eksplorimit të zonës, në vendin e quajtur “Maja e Jezercës”, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të vështirë”.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur me këmbë drejt adresës së dhënë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës dhe banorë të zonës. Pavarësisht kërkimeve për disa orë, nuk është bërë i mundur lokalizimi i turistëve”, bën të ditur Policia.

“Në mëngjes, ekipi i kërkim-shpëtimit malor i Emergjencave Civile është nisur me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët. Pas disa orësh kërkime është gjetur pa shenja jete njëri nga turistët, 32 vjeç, i cili dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rrëshqitur nga një lartësi dhe si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën”, njofton Policia.

“Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut. Turisti tjetër është larguar drejt Malit të Zi, në gjendje të mirë shëndetësore”, përfundon njoftimi i Policisë.

 

Fraksion.com