AktualitetPolitikëTë fundit

Gjyqi për Gërdecin, Mediu kërkon aktekspertim të ri të dëmit ekonomik

Në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vijuar shqyrtimi i dosjes së shpërthimit në Gërdec, ku pjesë e të pandehurve është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Gjatë seancës gjyqësore, u diskutua mbi aktin e ekspertizës ekonomike, për të cilën ish-ministri Mediu kërkoi një aktekspertim të ri, me argumentin se ekspertët e caktuar më herët ishin në shkelje të ligjit.

“Ekspertët nuk kanë qenë në cilësinë e ekspertit, por funksionarit ligjor dhe në konflikt me ligjin për t’u quajtur ekspertë dhe gjithashtu e deklaruan këtë si në seancën e kaluar, dhe në seancën e sotme”, tha Mediu.

“Unë mendoj që është në shërbim të së vërtetës të caktohen ekspertë të mirëfilltë sipas rregullave dhe ligjit për të bërë ekspertizën financiare, për të parë ka apo s’ka dëme ekonomike, a lidhet ky dëm ekonomik me detyrën dhe funksionet e ministrit, dhe të mos rrimë në një proces që zhvillohet sa për të thënë që po zhvillohet proces, pa dëgjuar njëri-tjetrin”, shtoi Mediu.

“E thashë edhe në gjykatë, si prokurori, edhe ne si mbrojtës, duhet t’i kemi armët e barabarta si në akuzë, edhe në mbrojtje. Është e drejta e Gjykatës dhe detyra e gjykatësve të vendosin këtë barazi. Shumë e rëndësishme për të dëgjuar vetë ata që quhen ekspertë që nuk e njohin këtë akt si aktekspertizë të tyre, por mendime të cilat kanë ardhur nga kualiteti i funksionit të tyre, si funksionarë shtetërorë dhe kanë firmosur si të tillë”, tha Mediu.

“Dua të kërkoj edhe një herë si nga Prokuroria, dhe nga Gjykata, të çmojnë të vërtetën dhe asnjë gjë që kërkojmë ne, por të vërtetën e asaj që ka ndodhur në procesin e Gërdecit”, përfundoi ish-ministri i Mbrojtjes.

Seanca e radhës për çështjen “Gërdeci” do të mbahet në 26  qershor, ora 09:00, për t’i dhënë kohë ekspertëve të njihen me aktin, pasi këta të fundit deklaruan gjatë seancës se nuk janë ekspertë të licencuar.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po përballet në GJKKO me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për ngjarjen e ndodhur në 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, ku pas një shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona.

 

Fraksion.com