AktualitetPolitikëTë fundit

“Babalja”, shtyhet sërish gjyqi ndaj Salianjit

Gjykata e Apelit shtyu sërisht shqyrtimin e dosjes “Babale”, ku të pandehur janë gazetari Jetmir Olldashi dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Gjykata e Apelit në seancën gjyqësore të zhvilluar sot është njohur me kërkesën e mbrojtësit ligjor të deputetit Ervin Salianji, avokatit Ledio Braho, për shtyrje të seancës për arsye shëndetësore. Togat e zeza vendosën që seanca e radhës të mbahet më 28 qershor ora 10:00.

“Sot më datë 12.06.2024, ora 10:30, ishte planifikuar seanca gjyqësore e çështjes penale ndaj të pandehurve Ervin Salianji, etj. Ju komunikojmë se mbrojtësi i të pandehurit Ervin Salianji, avokat Ledio Braho ka depozituar pranë sekretarisë së gjykatës kërkesën për shtyrje seance, për arsye shëndetësore. Në seancë nuk ishte i pranishëm as vetë i pandehuri Ervin Salianji. Seanca e radhës u caktua më datë 28.06.2024, ora 10:00”, njofton Gjykata e Apelit.

Gazetari Jetmir Olldashi dhe deputeti Ervin Salianji janë duke u përballur në Apel me akuzën e “Kallëzimit të rremë” kryer në bashkëpunim për çështjen “Babalja”. Rasti në fjalë lidhet me vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron (Agron) Xhafaj. Ky i fundit ka kallëzuar për mashtrim Olldashin dhe Salianjin, lidhur me një audiopërgjim të publikuar prej tyre.

Në Apel deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi. Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audiopërgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa.

 

Fraksion.com