AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali në Berlin: Qeveria shqiptare do të kontribuojë në projektet e rimëkëmbjes së Ukrainës

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali po merr pjesë sot në konferencën e nivelit të lartë për rimëkëmbjen e Ukrainës, që po mbahet në Berlin, Gjermani.

Kjo konferencë është bashkorganizuar nga presidenti i Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Ministrja Spiropali do të mbajë një fjalë në emër të qeverisë shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale Spiropali tha se “qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj të drejtë për çlirim, si edhe do të kontribuojë në projektet e rimëkëmbjes së pasluftës”.

Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësuesit e nivelit të lartë nga vende të ndryshme, organizata multilaterale, institucione financiare ndërkombëtare dhe përfaqësues ndërkombëtarë të sektorit privat, etj.

Konferenca ka për qëllim mobilizimin e një mbështetje të vazhdueshme për rikuperimin, ndërtimin, reformat dhe modernizimin e Ukrainës. Mundësimi i asistencës urgjente për nevoja imediate, implementim projektesh, krijimi i një mundësie të biznesit dhe mobilizimi i shoqërisë civile.

Konferenca përfshin katër tematika; dimensioni ekonomik (promovimi i sektorit privat, përfshirja për rritjen ekonomike dhe rindërtimin e Ukrainës); dimensioni humanitar (Sigurimi i rikuperimit social dhe njerëzor për të ardhmen e Ukrainës; dimensioni lokal dhe rajonal; lehtësimi i zhvillimeve lokale nëpërmjet angazhimit të komunitetit, të ftuar në konferencë janë edhe bashki nga disa shtete; dimensioni i EU: Mbështetja e Ukrainës, stabilitet dhe progres nëpërmjet integrimit në Bashkimin Europian.

 

Fraksion.com