Provimi i Magjistraturës, anëtarja e KLP-së: Nuk mbeti Arben Rakipit të rregullojë ndonjë interes të vogël
Mbledhja e parë e KLP-së nën drejtimin e Mirela Bogdanit është shoqëruar me debate të ashpra mes anëtarëve për shkak të një deklarate të zv.kryetarit Tartar Bazaj se SPAK ka nisur hetimet për provimin e shkollës së Magjistaturës.
Në krah të drejtorit të kësaj shkolle, Arben Rakipi, ka dalë anëtarja e KLP-së, Arta Madro, sipas të cilës Shkolla po funksionon shumë mirë dhe problemi i provimit ishte vetëm për shkak të pajisjes elektronike.
“Fakti që Shkolla gjendet në këtë situatë, nuk është për shkak të Shkollës, por është për shkak të Scantronit dhe ne këtë e kemi shumë të qartë. As drejtori i shkollës së magjistraturës, as unë dhe askush tjetër nuk kanë mbetur që të mbeten me scantronët për të rregulluar ndonjë interes të vogël të vetin në qoftë se ky do ishte problemi. Garantoj me bindjen time të plotë që gjëra të tilla nuk ndodhin kurrë në shkollën e Magjistraturës dhe unë jam dëshmitare e gjithë seriozitetit të atij institucioni duke filluar edhe me njerëzit tanë të afërt dhe lus që kjo kakofoni të mos bëhet objekt abuzimi”, tha Mandro.
Kujtojmë se provimi i Shkollës së Magjistraturës për magjistratët e rinj u shoqërua me hije të forta dyshimi për shkak të prishjes së pajisjes që kontrollonte provimet, por edhe për shkak të rritjes së numrit të kandidatëve fitues.
Debati i rreth një muaji më parë, u sponstua para pak ditësh në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pasi në krye të këtij institucioni erdhi Mirela Bogdani.
Ndërkohë zv.kryetari i KLP-së, Tartar Bazaj tha në mbledhje se verifikimi i kandidatëve duhet të shtyhet për shkak se SPAK ka nisur hetim ndaj Shkollës së Magjistraturës.
“Do përqëndrohem te pika 21 e rendit të ditës ku bëhet fjalë për diskutimin e projektit për fillimin e procedurave të verifikimit të pasurive të disa kandidatëve për tu pranuar në programin e formimit fillestar të shkollës së magjistraturës të vitit akademik 2024-2025. Është një patate e nxehtë pasi këto ditë është thirrur drejtori i shkollës së Magjistraturës. Në dijeninë time është bërë një kallëzim penal në SPAK dhe di që BKH-ja ka nisur të bëjë verifikimet”, tha Bazaj.
Sipas tij “Kjo nuk është pjesa jonë, por është një çështjeje që flitet për një skandal. Unë nuk do ta dëshiroja kurrë të ishte e tillë, por është anatemuar drejtori i shkollës së magjistraturës, pa diskutuar personalitetin e tij sepse nuk dua të them që ai ka qenë prokuror i përgjithshëm i shkarkuar nga Parlamenti, por diskutohet një çështjeje shumë e nxehtë”.
Fraksion.com