Pirdeni: Rritje të pagave nga 16-46% për punonjësit e administratës publike në 2024
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni tha sot se viti 2023 ka qenë i shenjuar nga disa momente kyçe për Administratën Publike Shqiptare.
Në fjalën e saj në seancën dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Departamentit te Administratës Publike gjatë vitit 2023, Pirdeni theksoi se “përgjatë 2023 i gjithë aparati administrativ në nivel qendror u përfshi në procesin screening të skanimit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, si dhe të gjitha masave në zbatim dhe të nivelit të përgatitjes së administratës tonë publike për t’u përballur me sfidat e ardhshme të procesit të negociatave”.
Pirdeni u shpreh se “këtë proces e kemi kaluar me shumë sukses dhe dëshmon përgatitjen e të gjithë kolegëve për të qenë në lartësinë e duhur që kërkon ky proces”.
“Në kuadër të këtyre përgatitjeve dhe për të çuar përpara të gjitha proceset e anëtarësimit në BE kemi pasur gjatë kësaj kohe mbështetjen e pakursyer të BE-së përmes projektit “Bashkimi Europian për qeverisjen e mirë” dhe pas çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE në 2022, si dhe takimeve të zhvilluara në Bruksel në shtator dhe dhjetor 2022 Komisioni Europian publikoi raportin screening, në korrik të atij viti me një sërë gjetjesh dhe rekomandimesh kryesore në fushën e reformës në administratën publike”, tha Pirdeni.
Sipas saj, ka qenë pikërisht ky dokument pikënisja jonë për të adresuar të gjitha masat në mënyrë strategjike dhe konkrete se si duhet të përgatisim administratën tonë publike për t’iu përballur të gjithë procesit të negociatave, por edhe për të përforcuar të gjithë mekanizmat ekzistues në funksion të eficiencës.
Ministrja Pirdeni theksoi se “në këtë kuadër duke filluar që nga prilli 2023 është bashkërenduar puna nga ana e kryenegociatorit përgjegjës për reformën në administratën publike me të gjitha institucionet përgjegjëse për hartimin e udhërrëfyesit për reformën, i cili është në fakt një dokument politik që mbështet këtë sektor me një plan masash prioritare për periudhën kohore 2022-2030, të cilët adresojnë me përpikëri të gjitha rekomandimet dhe kërkesat që dalin nga raporti screening”.
Gjithashtu, vijoi Pirdeni, me qëllim konkretizimin e këtyre detyrimeve përgjatë 2023 ka qenë strategjia ndërsektoriale e reformës në administratën publike.
“Gjithashtu me qëllim konkretizimin e këtyre detyrimeve përgjatë 2023 ka qenë strategjia ndërsektoriale e reformës në administratën publike, që ka marrë kohën e të gjithë kolegëve për të pasur një dokument, i cili përdor të gjithë mekanizmat që kemi ne aktualisht në dispozicion”, tha Pirdeni.
Duke folur për reformën e pagave, Pirdeni theksoi se “në 2023 nisi edhe reforma për rritjen e pagave, që është ende në proces. Ka nisur me miratimin e ligjit kuadër për pagat. Rritja e pagave ka variuar nga 16-46% duke përfshirë pagat e të gjithë institucioneve duke përfshirë pagat e punonjësve të administratës publike, u realizua gjithashtu reforma e elementëve të pagës bruto mujore për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë me të njëjtën strukturë page, u rritën pagat për titujt, gradat, pedagogët në arsimin e lartë, për shërbimin diplomatik në masën 20%, u rritën gjithashtu pagat e punonjësve në shërbimin shëndetësor në masën 15 mijë lekë të reja për mjekët e specialiteteve dhe 7% për pjesën tjetër të punonjësve. Gjithashtu janë rritur pagat në sektorin e Forcave të Armatosura, Policinë e Shtetit, Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardën e Republikës, arsimin parauniveristar, etj.”.
Fraksion.com