AktualitetPolitikëTë fundit

Konferenca e INTERPOL për herë të parë në Tiranë, Balla: Të përkushtuar në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit

Ka nisur punimet sot në Tiranë Konferenca e 51-të Rajonale e INTERPOL-it, e cila do të zgjasë deri më 13 qershor.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në fjalën e hapjes theksoi se edhe pse kemi patur mbi 10 milionë turistë të huaj në vitin 2023, nuk ka patur asnjë incident apo krime fatale që të përfshinin turistët e huaj.

Balla në fjalën e tij theksoi se Shqipëria është transformuar gjatë viteve të fundit.

“Shqipëria e të gjitha ndjesive, shijet dhe mikpritjen dhe me sigurinë publike. Unë shpresoj dhe uroj që të gjeni kohë, të shijoni bukuritë mesdhetare që janë të veçanta, Alpet, plazhet blu dhe trashëgimitë kulturore të UNESCO-s”, u shpreh ministri.

“Është hera e parë që Shqipëria po drejton një event të INTERPOL të kësaj natyre. Kemi drejtuar samitin e BE para disa muajsh. Të ftuarit që mund të kenë vizituar Shqipërinë 10 vite, 20 vite apo 30 vite më parë janë të mahnitur nga progresi dhe zhvillimi i madh që Tirana ka bërë, ashtu si dhe i gjithë vendi ynë”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm nënvizoi se “vitin e fundit më shumë se 10 milionë turistë vizituan vendin, që ishte rekordi i të gjitha kohërave, shifër kjo që do të kalohet në vitin 2024, pasi priten mbi 14 milionë turistë. Në aeroportin “Nënë Tereza” ka më shumë se 250 fluturime në ditë, në 1991 kemi patur 3 fluturime në javë. Dhe pavarësisht këtij fluksi, vitin e kaluar kanë ndodhur 0 krime fatale apo incidente që përfshinë turistët”, tha Balla.

 

Fraksion.com