AktualitetPolitikëTë fundit

Balla: Nuk do të ketë asnjë “oaz” ku të fshihen të kërkuarit nga drejtësia shqiptare

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha sot se po punohet ngushtësisht me të gjithë partnerët në INTERPOL dhe më gjerë, që të mos ketë më asnjë “oaz” ku mund të fshihen të kërkuarit nga drejtësia shqiptare.

Duke iu përgjigjur interesit të medieve, gjatë Konferencës së 51-të rajonale të INTERPOL, që po mbahet në Tiranë, Balla tha se gjatë muajve të fundit është arritur një rekord historikë sa i takon numrit të ekstradimeve.

“Është tashmë një fakt i gjithë pranuar se qoftë 2023-shi, qoftë 5 muajt e parë të vitit 2024 janë rekorde historike sa i përket numrit të personave të kërkuar nga drejtësia, që falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer me INTERPOL, falë mekanizmave të vendosura në dispozicion nga INTERPOL, ne po intensifikojmë këtë proces të rëndësishëm, që na çon në të gjitha foletë ku fshihen personat në kërkim”, tha Balla.

“Kam nënvizuar gjatë takimit që patëm edhe me presidentin e INTERPOL, edhe me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL një shembull konkret. Ne s’kemi marrëveshje ekstradimi me Mbretërinë e Marokut, por kjo s’na ka penguar për deportimin e një personi të akuzuar për një ngjarje të rëndë kriminale në Shqipëri. Po punojmë intensivisht me INTERPOL dhe vendet anëtare të organizatës për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe për të mos patur në glob asnjë oaz ku të fshihen personat që kanë hesape të hapura me drejtësinë shqiptare. Ky sukses i arritur deri më tani është arritur përmes mbështetjes së INTERPOL”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm për këtë falenderoi dhe Policinë e Shtetit, ku rikujtoi edhe një herë angazhimin e tij për një trajtim më të mirë financiar.

“Në barometrin e sigurisë mbi 70% e qytetarëve e vlerësojnë pozitive apo shumë pozitive punën e Policisë së Shtetit. Meritë e drejtuesve të Policisë së Shtetit kjo, por edhe e punonjësve të nivelit bazë. Ndihem borxhli ndaj tyre për një trajtim të duhur financiar. S’tërhiqem nga kjo”, tha Balla.

 

Fraksion.com