Tensione në protestën e opozitës, digjen gomat, protestuesit qëllojnë me vezë dhe sende të forta, lëndohet një polic
Ka nisur protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, ku disa protestues janë të pajisur me goma të cilat mesa duket do digjen sërish para bashkisë.
Policia njoftoi më herët masat e marra për mbarëvajtjen e rendit të sigurisë, duke u bërë thirrje organizatorëve të distancohen nga dhuna, teksa ka vendosur një perimetër sigurie rreth bashkisë.
Protestuesit vendosën përpara bashkisë një manekin me imazhin e kryetarit të bashkisë në pranga.
Anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës, Akil Kraja në fjalën e tij iu referua zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
“Sot është një protestë e cila duhet të lidhet edhe më një fitore shumë të rëndësishme të Evropës dje që votoi masivisht në një shprehje sovrane kombëtare për demokracinë kundër agjendës Wok. Një Evropë që dje zgjodhi shtetin mbi agjendat e zëvendësimit të popullsisë, që zgjodhi familjen mbi tjetërsimin e moralit publik”, tha ai.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, nga radhët e opozitës, Dorjan Teliti, në fjalën e tij përpara protestuesve tha se, vetëm me protesta të qëndrueshme arrihet qëllimi madhor, ndryshimi i pushtetit.
“Në këtë protestë të 11 ne kemi treguar diçka, që ne nuk dorëzohemi. Nuk dorëzohemi as para gardheve policore, as ndaj presioneve, as nga skafandrat që po afrohen tani, as nga dyqanet mediatike të blera”, tha ai.
“Nuk dorëzohemi sepse ne jemi me të drejtën. Nuk dorëzohemi deri ditën që ata që kanë vjedhur e po shkatërrojnë Tiranën e Shqipërinë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, u shpreh ai.
Në foltoren e protestës mbajti fjalim edhe aktori, pjesë e Alencës për Mbrojtjen e Teatrit, Neritan Liçaj.
Edhe në protestën e sotme pati përplasje dhe shtyrje mes forcave të rendit dhe protestuesve. Këta të fundit i vunë flakën gomave të vendosura përpara Bashkisë, ndërsa u hodhën vezë e miell në drejtim të Bashkisë dhe punonjësve të Policisë. Gjithashtu u tentua të largohej me forcë kordoni i hekurit i sigurisë i vendosur nga policia që ndante protestuesit nga godina e Bashkisë.
Fraksion.com