AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kosova i ka të gjitha mundësitë të afrohet me BE-në

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe nuk ka pse të humbë kohë duke vrapuar rreth vetes së vet, por duhet ‘t’i tregojë targën’ Serbisë dhe të ikë përpara.

“Ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla. Ne nuk jemi kërthiza e botës. Sa herë kemi menduar këtë e kemi pësuar shumë keq, sa herë kemi kuptuar se duhet të jemi si trimi i mirë me shokë shumë dhe duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe shumë të tjerëve në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ja kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur”, shtoi Rama në fjalën e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” në Prishtinë.

I pyetur se si e sheh Kosovën sot, Rama tha se “Kosova është shumë e bukur, i ka të gjitha mundësitë dhe nuk ka pse të humbë kohë duke vrapuar rreth vetes së vetë”.

“Kosova i ka të gjitha ato që i duhen. I ka të gjithë partnerët, aleatët, miqtë që i duhen. I ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme. Ka talente, njerëz, energji, forcë e të gjitha. Thjesht dhe vetëm Kosova duhet t’i tregojë targën Serbisë dhe të ikë përpara. Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë”, tha Rama.

Sipas tij, “nuk mund të mbahet fati i Kosovës i lidhur me interesat apo pafuqinë e Serbisë për t’u përballur me të shkuarën e vet”.

“Një realitet demokratik vibrant, i paqtë, një realitet që i përgjigjet vizionit të Ibrahim Rugovës në të përditshmen e Kosovës do të ketë të gjithë energjinë pozitive për ta bërë të pamundur për më tutje marrjen peng nga Serbia. Ndërkohë që Kosova ka fituar luftën dhe që paqen e plotë mund ta arrijë jo me mjetet e luftës, por me mjetet demokratike europiane”, shtoi Rama.

Fraksion.com