AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

Rama: Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë

 Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, një moment që shenjoi një faqe të re në historinë e pakthyeshme të Kosovës.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Rama u shpreh se Ibrahim Rugova e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme

“Ju falënderoj për mundësinë e mirëseardhur për të ndarë me ju një opinion mbi njeriun që e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme, sintezë e pashoqe mes revolucionarit me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetasit me idealizimin e revolucionarit”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë sonë.

“Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike; një politikan si i rrahur me vajin dhe uthullën e odës patriarkale; një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme; një figurë që edhe sot e gjithë ditën është e vështirë ta përmbledhësh si një të tërën, pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “Ibrahim Rugova ishte edhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund me mënyrën dhe për mënyrën se si arriti t’u imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vetë”.

Rama citoi edhe shkrimtarin e njohur Ismail Kadare kur shkruan: “Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që dërgoi popullin e vetë drejt një të ardhmeje që nuk do të ishte veçse e mirë, ku afër tij kaloi historia”.

“Kur në 24 maj të vitit 1992, në të ashtuquajturën zgjedhje ai i vetëshpall President i Kosovës për herë të parë, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën, por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta krijon dhe lë pas, emrin dhe personalitetin”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com