AktualitetKosovaTë fundit

“Nuk jam penduar kurrë”, Tony Blair: Bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë ishin gjëja e duhur

Ish kryeministri britanik, Tony Blair, tha të hënën se bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë.

“Ne ndihmuam, dhe nuk jam penduar kurrë”, tha ai.

Ish kryeministri britanik, i cili në Kosovë vlerësohet si një nga personalitetet kryesore që nxitën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, i bëri këto komente gjatë një fjalimi në parlamentin e Kosovës në kuadër të veprimtarive për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të saj.

“Kosova më në fund u çlirua. Njerëzit janë në gjendje të jetojnë përsëri, të shpresojnë përsëri, të besojnë përsëri në një shoqëri të ardhshme të lirë dhe të drejtë, të lirë nga shtypja dhe padrejtësia”, tha ai.

Ish kryeministri Blair tha se 25 vjet më parë kishte negociata të tensionuara politike dhe angazhim të jashtëzakonshëm diplomatik për të ardhur deri te çlirimi i Kosovës. Ai tha se lufta për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë ishte për të gjithë botën, përfshirë edhe vendin e tij që beson se për liri dhe drejtësi, një luftë që ia vlen të luftohet.

“Sikur të kishim lejuar që Kosova dhe populli i saj të vazhdonin të brutalizoheshin, t’u hiqen të drejtat, t’u vidhet e ardhmja, e ardhmja jonë në vende si imi do të ishte pakësuar. Prandaj për mua ishte lufta për Kosovën jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne”, tha zoti Blair.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se zoti Blair ishte vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës si dhe hero i lirisë dhe demokracisë edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe gjithë përkrahjen që ja keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Në prill ë vitit 1999 ju e keni cilësuar intervenimin në Kosovë si një kauzë të drejtë, e tillë ishte siç është dëshmuar atëherë e tillë dëshmohet edhe sot sepse në pyetje ishte vetekzistenca e një populli”, tha presidentja Osmani.

Me 12 qershor të vitit 1999 NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas një fushate 78 ditëshe të bombardimeve ndaj forcave serbe, që po atë ditë filluan largimin nga Kosova, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare. Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 110 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska./VOA

 

Fraksion.com