‘Ndizet’ Himara për Belerin! Festë e fishekzjarrë në qendër të bashkisë, reagimi nga burgu: Fitore e dritës mbi errësirën
Lajmi për fitoren e Fredi Belerit si kandidat për eurodeputet i partisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis duket se ka mbërritur shpejt në Himarë.
Mbështetësit e tij kanë nisur festën duke hedhur fishekzjarrë në qendër të bashkisë, që ndonëse e fitoi një vit më parë, nuk mundi ta drejtojë për shkak se u dënua për shit-blerje votash në zgjedhjet e 14 majit të një viti më parë.
Vetë Fredi Beleri ka reaguar nga burgu, për votëbesimin e popullit grek, duke e cilësuar fitoren mbi errësirën.
“Forca e demokracisë, tha ai përmes një statusi në rrjet “mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Fituam një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve”, u shpreh Beleri.
Në qelitë e burgut shqiptar, Fredi Beleri po pret vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme aty ku kërkon pafajësi. Por edhe nëse Apeli e rrëzon kërkesën e tij, eurodeputetit të Greqisë, tashmë i ka mbetur të vuajë më pak se 9 muaj burg.
Fraksion.com