AktualitetTë fundit

I shpallur në kërkim nga operacioni “Metamorfoza”, arrestohet “Leksi i druve”

Arrestohet në Itali Aleks Ndreka, i njohur si Leksi i Druve. Ai është arrestuar në aeroportin e Malpensas në Milano tre ditë më parë.

Ndreka ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe ishte në masën “arrest në burg” në mungesë.

“Kapet në Milano dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 47-vjeçar i akuzuar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje.”

Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit A. N., 47 vjeç.

47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit A. N., në Shqipëri.

 

Fraksion.com