AktualitetKosovaTë fundit

Blair: Ndërhyrja e NATO-s gjëja e duhur, Osmani e quan hero të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur hero të Kosovës ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. Osmani tha se roli i Blairit ka qenë vendimtar për çlirimin e Kosovës 25 vjet më parë. Ajo nënvizoi se Britania e Madhe me në krye Blairin, bashkë me forcat aleate të NATO-s, e ka shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Milosheviqit.

Osmani në deklarimin për medie pas takimit me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, tha se Kosova sot është një nga trashëgimitë më të suksesshme dhe mësimet se mbrojtja e paqes, lirisë, dhe demokracisë janë shtyllat e civilizimi.

Në anën tjetër, ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë gjëja e duhur që është bërë.

Ai tha se tani vendet demokratike duhet t’i rrinë në krah njerëzve të Kosovës në mënyrë që e ardhmja e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran të ketë vendin në mekanizmat ndërkombëtarë.

Blair po qëndron në Kosovë në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Ai pati edhe një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe takoi kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti. /KosovaPress
Fraksion.com