AktualitetPolitikëTë fundit

Begaj: Lidhja e Prizrenit, akt sublim që dëshmon fuqinë e kombit shqiptar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përkujtoi sot 146-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, të cilën e cilësoi si një prej ngjarjeve të para të mëdha të krijimit të vetëdijes sonë kombëtare dhe nisjen e lëvizjes për të bashkuar të gjitha trojet e të gjithë shqiptarët.

“Ajo që ndodhi më 10 qershor 1878, ku patriotë nga çdo krahinë e vilajeteve shqiptare deklaruan në një zë se çdo pëllëmbë tokë nga dheu shqiptar do të mbrohet me gjak, ishte një akt sublim që dëshmon fuqinë e një kombi, shpirtin e një populli për të sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe identitetin kombëtar”, vlerësoi Begaj.

Presidenti theksoi se Lidhja e Prizrenit do të mbetet përjetë simbol i kësaj qëndrese e sakrifice dhe do të këtë një vend të lartë në historinë tonë kombëtare.

“Fryma e Lidhjes së Prizrenit shoqëroi kryengritjet para pavarësisë, ajo frymë ishte në Kuvendin e Vlorës dhe po ajo frymë mbajti gjallë shpirtin kombëtar në Kosovë për gati një shekull pushtim serb, derisa solli pavarësinë. Nderim përjetë patriotëve dhe luftëtarëve të Lidhjes historike të Prizrenit”, u shpreh Presidenti.

 

Fraksion.com