AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Zëdhënësja e BE-së: Dezinformatat ruse mund t’i rrisin tensionet në Kosovë

Ballkani Perëndimor është duke u përballur me dezinformata prej Rusisë, përmes së cilave Moska tenton të pengojë integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Kështu ka thënë zëdhënësja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ioanna Lachana, përgjatë një interviste për platformën The Geopost.

Sipas saj, Kremlini po tenton të përhapë në Kosovë narrativa pro Rusisë, dhe të paraqesë negativisht gjithçka që është pro Perëndimit.

Diçka e tillë, sipas saj, mund t’i rrisë tensionet.

“Kemi parë propagandë në lidhje me tensionet ndëretnike, që mund të shpërthejë një luftë e re. Kjo është shumë e rrezikshme, kjo mund t’i rrisë tensionet. Prandaj Bashkimi Evropian ka thënë gjithmonë se dezinfomimi është çështje që prek sigurinë”.

Zyrtarët më të lartë shtetërorë në Kosovë e kanë përmendur disa herë se përpjekjet e Rusisë në Ballkan përhapen nëpërmjet “satelitit të saj, Serbisë”, dhe se shteti rus tenton të përfitojë prej tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Beogradi i mohon vazhdimisht këto qëndrime.

Lachana ka thënë se në momentin që një propagandë e tillë ruse përhapet dhe përsëritet, mund të ketë njerëz që nisin të kenë ndjesi kundër Perëndimit.

“Nëse informacioni manipulohet, atëherë preket edhe diskursi ynë publik. Ballkani Perëndimor nuk përbën përjashtim. Ne shohim ndikim edhe këtu, sidomos prej Rusisë, e cila tenton të pengojë rrugën e partnerëve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Natyrisht, askush nuk mund të luftojë vetëm këtë fenomen. Duhet të punojmë bashkë dhe të përfshihen të gjithë”.

Lachana e ka përmendur edhe strategjinë e re të Shteteve të Bashkuara për të luftuar dezinformimin në Evropë, sidomos në Ballkan, e cila përfshin mbështetjen e demokracive, mediave të lira dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Muaj më parë, agjencitë franceze të sigurisë patën zbuluar rrjetin e ashtuquajtur “Portal Kombet” prej 193 faqeve online, që ka përhapur dezinformata me qëllim të përçarjes së shoqërive perëndimore./REL

 

Fraksion.com