Dorëhiqet nga qeveria ministri Benny Gantz; Netanyahu i bën thirrje “te mos braktisë frontin”
Ministri izraelit Benny Gantz njoftoi sot dorëheqjen nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke tërhequr të vetmen parti të qendrës nga koalicioni i të djathtës së skajshme, mes luftës disa mujore në Gazë.
Zoti Netanyahu bëri një deklaratë të shkurtër duke i bërë thirrje zotit Gantz të mos “braktisë frontin”, por largimi i tij nuk do të rrezikojë shumicën parlamentare prej 64 vendesh në parlamentin izraelit prej 120 vendesh, i njohur si Knesset, ku shumicën e ka koalicioni i krahut të djathtë në pushtet.
“Zoti Netanyahu po na pengon të përparojmë drejt fitores së vërtetë. Kjo është arsyeja pse ne po largohemi nga qeveria sot”, tha zoti Gantz në një konferencë për shtypin.
Dorëheqja e zoti Gantz pritej që kur ai i vuri kryeministrit izraelit afat deri më 8 qershor për të dalë me një strategji të qartë se si do të veprohej në Gazë pas luftës.
Dorëheqja e tij do të thotë se zoti Netanyahu do të humbasë mbështetjen e bllokut të qendrës që ka ndihmuar në zgjerimin e mbështetjes për qeverinë brenda dhe jashtë Izraelit, në një kohë të rritjes së trysnisë diplomatike dhe brenda vendit, tetë muaj pas luftës në Gazë./coa
Fraksion.com