AktualitetNATO/BETë fundit

Dita e fundit e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian

Qendrat e votimit u hapën gjithandej Evropës të dielën në ditën e fundit të zgjedhjeve për parlamentin e Bashkimit Evropian, mes shqetësimeve se partitë e ekstremit të djathtë mund të forcojnë pozitat e tyre në bllokun 27 vendesh.

Lufta në Ukrainë, migrimi dhe ndikimi i politikës klimatike te fermerët, janë disa nga çështjet që rëndojnë mendjen e evropianëve teksa hedhin votat për të zgjedhur 720 deputetët e Parlamentit Evropian.

Anketat sugjerojnë se partitë pro evropiane do të ruajnë shumicën e tyre në parlament, por e djathta e skajshme, duke përfshirë partitë e udhëhequra nga politikanë si Geert Wilders i Holandës dhe Marine Le Pen e Francës, do të marrin një hise të rëndësishme të vendeve.

Kjo do ta bënte më të vështirë për Evropën miratimin e legjislacionit dhe marrjen e vendimeve.

Ligjvënësit e BE-së ushtrojnë ndikim në çështjet që nga rregullat financiare te politikat klimatike dhe bujqësore. Ata miratojnë buxhetin e BE-së, i cili financon mes tjerash projektet e infrastrukturës, subvencionet e fermave dhe ndihmën për Ukrainën. Ata ushtrojnë të drejtën e vetos për emërimin e komisionit të fuqishëm të BE-së.

Këto zgjedhje mbahen në një kohë sprove për besimin e votuesve në bllokun prej rreth 450 milionë banorësh. Gjatë pesë viteve të fundit, BE-ja është tronditur nga pandemia e koronavirusit, rënia ekonomike dhe një krizë energjetike e nxitur nga konflikti më i madh tokësor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por fushata politike shpesh përqendrohet në çështjet e brendshme të vendeve anëtare dhe jo në interesat më të gjera evropiane.

Maratona e votimit të së dielës i jep fund një cikli zgjedhor katërditësh që filloi të enjten në Holandë. Një anketë jozyrtare atje, la të kuptohet se partia e djathtë e Geert Wilders do të shënojë rritje edhe pse një koalicion i partive pro evropiane ndoshta e ka lënë atë në vendin e dytë.

Që nga zgjedhjet e fundit të BE-së në vitin 2019, partitë populliste ose të ekstremit të djathtë udhëheqin qeveritë në tri vende; Hungari, Sllovaki dhe Itali, si dhe janë pjesë e koalicioneve qeverisëse në të tjera vende, përfshirë Suedinë, Finlandën dhe, së shpejti, Holandën. Anketat u japin popullistëve një përparësi në Francë, Belgjikë, Austri dhe Itali.

“Djathtas është e mirë”, u tha gazetarëve kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili drejton një qeveri të ashpër nacionaliste dhe kundër migrimit, pasi hodhi votën e tij. “Të shkosh djathtas është gjithmonë mirë. Shkoni djathtas”!

Pas zgjedhjeve vjen një periudhë e ‘pazareve’ pasi partitë politike rishikojnë vendet e tyre në aleancat politike në mbarë kontinentin, që drejtojnë legjislaturën evropiane.

Grupi më i madh politik, Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë – ka lëvizur djathtas gjatë zgjedhjeve aktuale për çështjet si siguria dhe migrimi.

Ndër çështjet më të ndjekura është nëse Vëllezërit e Italisë – partia qeverisëse e kryeministres populliste të ekstremit të djathtë Georgia Meloni, e cila ka rrënjë neofashiste, qëndron me Konservatorët dhe Reformistët Evropianë të linjës më të ashpër (ECR), apo bëhet pjesë e një grupi të ri të djathtë që mund të krijohej në prag të zgjedhjeve. Kryeministrja Meloni gjithashtu ka mundësinë të punojë me EPP-në.

Një skenar më shqetësues për partitë pro evropiane do të ishte nëse ECR-ja bashkon forcat me Identitetin dhe Demokracinë e zonjë Marine Le Pen, për të forcuar ndikimin e së djathtës.

Grupi i dytë më i madh, Socialistët dhe Demokratët e qendrës së majtë dhe të Gjelbrit, refuzojnë të bashkohen me ECR-në.

Çështje e hapur mbetet gjithashtu se në cilin grup mund të bashkohet partia Fidesz në pushtet e kryeministrit hungarez Orban. Më parë ajo ishte pjesë e EPP-së, por u detyrua të largohej në vitin 2021 për shkak të konflikteve mbi interesat dhe vlerat e saj.

Zgjedhjet sjellin gjithashtu një periudhë pasigurie pasi drejtues të rinj zgjidhen në krye të projektit evropian. Ndërsa ligjvënësit po përpiqen për vendet në aleanca, qeveritë do të konkurrojnë për të siguruar postet më të larta në BE, siç është posti i presidentit të Komisionit Evropian, presidentit të Këshillit dhe shefit të politikës së Jashtme.

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, të cilat mbahen çdo pesë vjet, do të fillojnë të publikohen pasi qendrat e fundit të votimit në 27 vendet e BE-së të mbyllen në Itali në orën 23:00. Por një pasqyrë e qartë se si mund të duket parlamenti i ri, mund të mësohet të hënën./voa

 

Fraksion.com