Mirela Bogdani zgjidhet në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Mirela Bogdani është kryetarja e re e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke zëvendësuar në këtë funksion Alfred Ballën, i cili u shkarkua tri javë më parë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi me 10 vota pro emërimin e saj në krye të këtij institucioni.
Mirela Bogdani ishte kandidatja e vetme, që shprehu vullnetin për drejtimin e KLP-së. Teksa prezantoi platformën para anëtarëve të KLP-së, Bogdani tregoi ambicien për të rritur kapacitetet logjistike, për të reformuar sistemin gjyqësor dhe rritur bashkëpunimin me ndërkombëtarët.
Prej dy vitesh, Bogdani ishte anëtare e KLP-së, ndërsa gjatë karrierës profesionale, ka ushtruar detyrën e profesorit të së drejtës në Departamentin e së Drejtës Publike në lëndët ‘Institucionet politike dhe juridike’, ‘Shkrimi dhe Arsyetimi Ligjor, si dhe ‘Politika e Jashtme e BE’, në programet Bachelor, Master, programin e doktoraturës, dhe aktualisht në programin e integruar Master i Shkencave në Drejtësi dhe Master Ekzekutiv. Nga viti 2019-2022 ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Komisionit të Përhershëm për Dhënien e Gradës Shkencore ‘Doktor’ në Fakultetin e Drejtësisë, dhe nga viti 2020-2022 anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.
Nga viti 2012 e në vijim është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës në Programin e Trajnimit Fillestar në lëndën Klinika Ligjore, si mentore shkencore, që së bashku me grupin e mentorëve drejtojnë magjistratët në hartimin e Memorandumeve Ligjore (opinioneve ligjore) pro bono për institucionet e larta të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatat Administrative, etj. Nga viti 2012 e në vijim, është angazhuar në Programin e Trajnimit Vazhdues në trajnime që lidhen me Shkrimin dhe Arsyetimin e Vendimeve Gjyqësore, në
Eficencën e Drejtësisë, kryesisht e lidhur kjo me mekanizmat e CEPEJ për cilësinë e drejtësisë dhe
menaxhimin e kohës gjyqësore dhe Lirinë e Shprehjes.
Ndërkohë, në 27 maj, Këshilli i Lartë Prokurorisë miratoi me 9 vota pro mbarimin e mandatit të Alfred Ballës. Ai nuk mund të qëndrojë në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA, për përjashtimin e tij nga sistemi për 15 vite. Ballës i kishte përfunduar mandati i anëtarit të KLP-së prej disa muajsh, por vijonte të qëndronte në detyrë deri në momentin që do të zgjidheshin anëtarët e rinj, nga radhët e shoqërisë civile.
Fraksion.com