AktualitetPolitikëTë fundit

Këshilli bashkiak i Himarës cakton Arqile Bollanon kryetar të ri të bashkisë

Këshilli bashkiak i Himarës caktoi të premten nënkryetarin e bashkisë Arqile Bollano për të drejtuar qytetin bregdetar, pas dorëheqjes së kryetares së komanduar të bashkisë Blerina Bala, dy ditë më parë.

 

Sipas burimeve në mbledhjen e këshillit bashkiak, Bollano mori 12 vota pro dhe 9 kundër, ndërsa nënkryetari tjetër i bashkisë Pervin Gjikuria deklaroi tërheqjen nga gara.

 

Zoi Bollano u tha gazetarëve pas votimit se do të angazhohet për të gjithë qytetarët dhe me të gjitha palët për mbarëvajtjen bashkisë.

 

”Unë jam vazhdimësi e bashkisë dhe kemi gjithë punën për të bërë. Nuk ka vend për llafe, por ka vend vetëm për punë, kam përgjegjësi të madhe dhe do ta tregoj në vazhdimësi”, tha Bollano.

 

Gati dy muaj më parë, anëtarët e Këshillit bashkiak të Himarës komanduan nënkryetaren e atëhershme Blerina Bala në krye të bashkisë, pasi kryetari në detyrë Jorgo Goro dhe ai i zgjedhur, Fredi Bejleri, përfaqësues i opozitës, janë në burg.

 

Kryetari në detyrë i bashkisë, Jorgo Goro u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për tjetërsim pronash, ndërsa kryetari i zgjedhur Fredi Beleri, është dënuar nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për korrupsion aktiv në zgjedhje.

 

Zoti Goro u arrestua nën dyshimet se përmes dokumenteve të falsifikuara ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet, të cilat, pas disa transaksioneve, i kaluan sipërmarrësit Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka, për të ndërtuar një kompleks turistik në bregdetin e Dhërmiut. Zoti Goro i ka hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë.

 

Hetimet për këtë rast nisën pas një kallëzimi të bërë në muajin gusht të vitit të shkuar nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i cili u shpall fitues në bashkinë e Himarës në zgjedhjet vendore të majit të vitit të shkuar, ndonëse u arrestua dy ditë përpara votimit.

 

Zoti Beleri, i dënuar me dy vjet burg, për korrupsion aktiv në zgjedhje, e ka ankimuar atë në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

 

Rasti i zotit Beleri, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

 

Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin.

 

Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.

Në prill të këtij viti Partia “Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e përfshiu Fredi Belerin në listën greke të kandidatëve për zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen mes 6 dhe 9 qershorit./voa

 

Fraksion.com