AktualitetTë fundit

Borxhe dhe plumba, historia e përgjakshme e hotel Greccia filloi në 2012

Ekskluzive nga Gazeta Reforma/ Nga vrasja e pronarëve, tek ndryshimi i mbiemrit dhe vrasja e recepsionistit

Ekskluzive nga Gazeta Reforma

Hotel ‘Greccia’, vendi ku një ditë më parë u vra Eraldo Nevruzi, i cili punonte recepsionist, nga një prej bashkëpronarëve Gerald Shehu, ka një histori të përgjakshme që nga ndërtimi i tij.

Mbrëmjen e datës 1 dhjetor 2012 ekzekutohen me plumba në kokë dy vëllezërit Iglent Haxhialiu, 44 vjeç, dhe Sokol Haxhialiu, 41 vjeç, të cilët ishin pronarë të disa bizneseve në Tiranë dhe në Vlorë. Autori i ngjarjes ishte Eduart Kurti, i arrestuar më 15 shtator 2023 dhe i dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë që motivi i vrasjes rezultoi të ishte një borxh prej 200 mijë eurosh që 2 viktimat i kishin marrë Kurtit për ndërtimin e një hoteli në zonën e Dhërmiut në Vlorë dhe që nuk ia kishin kthyer bashkë me interesin prej 5%.

Hoteli që 2 vëllezërit kishin ndërtuar është pikërisht ‘Greccia’, i cili pas 12 vitesh u përgjak sërish. ‘Greccia’ tashmë i ka kaluar në menaxhim familjarëve të viktimave. Autori i ngjarjes së djeshme është dhëndër i familjes së pronarëve, Haxhialiu, të cilët tashmë kanë ndryshuar mbiemrin.

43-vjeçari Gerald Shehu rezulton të jetë i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) si “person fizik”, me objekt të aktivitetit “bar-restorant, plazh privat”, me emrin tregtar “Greccia Hotel”. Ai rezulton të jetë pronar i plazhit privat dhe bar-restorantit “Greccia”, të cilat janë në funksion të hotel “Greccia”, i cili është në pronësi të vjehrrës së tij, Gentjana (Greta) Nino.

 

 

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Mirvjen Haxhialiu (vëllai i viktimave Iglent dhe Sokol Haxhialiu ) ka ndryshuar mbiemrin nga Haxhialiu dhe ka marrë mbiemrin e gruas, Nino. Mirvjeni në shkurt të këtij viti është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës pasi kishte mashtruar një qytetar se do t’i siguronte letra angleze të vëllait të tij. Ai akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”, “Mashtrim” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijëve”.

Pra 12 vite pas vrasjes së dy vëllezërve Haxhialiu të cilët e kishin ngritur biznesin e tyre hotel ‘Greccia’ mbi veprimtari të dyshimta, dhëndri i familjes së tyre vret në këtë hotel recepsionistin.

Hetimet për ngjarjen e rëndë ku u vra recepsionisti Eraldo Nevruzi duket se do të shtrihen në disa drejtime pasi tashmë organet e hetimit kanë vendosur në sitë edhe pasurinë e pronarëve të hotelit./GazetaReforma

 

Fraksion.com