AktualitetBota+Të fundit

Ushtria libaneze tha se një person i armatosur qëlloi mbi ambasadën amerikane

Një person i armatosur u kap nga ushtarët libanezë pasi u përpoq të sulmonte ambasadën amerikane në Liban të mërkurën.

Sulmi ndodhi ndërsa tensionet ziejnë në vendin e vogël mesdhetar, ku luftimet disa muajshe mes militantëve të Hezbollahut dhe trupave izraelite kanë zhvendosur mijëra banorë përgjatë kufirit.

Ushtria libaneze tha në një deklaratë se ushtarët qëlluan një sulmues, për të cilin u tha se është shtetas sirian. Personi i armatosur u plagos dhe u dërgua në spital.

Motivet e sulmit ende nuk dihen por, mediat libaneze publikuan fotografi që duket se tregojnë një sulmues të përgjakur që ka të veshur një jelek të zi me fjalët “Shteti Islamik”, të shkruara në arabisht dhe inicialet angleze “I” dhe “S”.

Mediat lokale raportuan se pati një përleshje me armë për gati gjysmë ore afër misionit diplomatik amerikan në lagjen periferike Aukar, në veri të Bejrutit.

Një zyrtar libanez i sigurisë tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se ishin katër sulmues, tre nga të cilët hapën zjarr. Sipas zyrtarit që foli me kusht që të mos i përmendej emri, një sulmues u vra, një u arratis dhe i treti u plagos dhe u arrestua nga ushtria libaneze.

Ambasada amerikane tha se nuk pati dëme në njerëz gjatë sulmit të mëngjesit në hyrje të ambasadës.

Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit libanez në detyrë Najib Mikati, thuhet se ai është informuar pas takimeve me ministrin e mbrojtjes dhe komandantin e ushtrisë se situata tani është e qëndrueshme dhe janë duke u zhvilluar hetime serioze.

Ushtria libaneze tha se vendosi trupa shtesë rreth ambasadës dhe zonave aty pranë.

Në vitin 1983, një sulm vdekjeprurës me bombë në ambasadën amerikane në Bejrut, la pas vetes 63 të vrarë. Zyrtarët amerikanë fajësuan për sulmin grupin militant libanez, Hezbollah. Pas atij sulmi, ambasada u zhvendos nga Bejruti qendror në lagjen e krishterë Aukar, në veri të kryeqytetit.

Në shtator të vitit 2023, forcat libaneze të sigurisë arrestuan një libanez që hapi zjarr afër ambasadës amerikane. Sulmi kaloi pa dëme në njerëz.

Në tetor të vitit 2023, qindra protestues u përleshën me forcat libaneze të sigurisë në demonstratat pranë ambasadës amerikane në mbështetje të popullit të Gazës dhe grupit militant Hamas në luftën e tij me Izraelin.

 

Fraksion.com