Meloni sot në Shqipëri: Nga takimi me Ramën në Shëngjin, te ndalesat në qendrat e pritjes së refugjatëve, detajet nga vizita e kryeministres italiane
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni viziton sot Shqipërinë. Shefja e qeverisë së Romës me të mbërritur në Rinas, do të udhëtojë drejt Lezhës, ku mbërrin në orën 12:20, për të parë nga afër ecurinë e punimeve të dy qendrave pritëse të emigrantëve në Portin e Shëngjinit dhe në Qendrën Pritëse të Gjadrit. Qendrat do të ngrihen bazuar në Protokollin e Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për trajtimin e emigrantëve që mbërijnë nga Afrika në brigjet e Italisë.
Meloni do të shoqërohet gjatë gjithë vizitës së saj nga kryeministri Edi Rama, me të cilin pritet të ketë edhe një konferencë për shtyp.
Marrëveshja e bashkëpunimit nënshkruar nga të dy kryeministrat parashikon që trualli ku do të vendosen dy qendrat në Shëgjin dhe Gjadës, pasuri shtetit shqiptar, të jepet për t’u përdorur nga Italia për ngritjen e strukturave pritëse. Në qendrën e parë, atë të Shëngjinit emigrantët fillimisht do të identifikohen, për t’u dërguar më pas në qendrën e Gjadrit për t’u akomoduar për periudhën e shqyrtimit të dokumentacionit dhe kërkesave të tyre për azil në Itali.
Protokolli i Bashkëpunimit mes dy vendeve me një afat 5-vjeçar, parashikon që në Shqipëri të strehohen deri në 36.000 emigrantë për një vit. Numri i emigrantëve, që do të qëndrojnë në të njëjtën kohë, sipas marrëveshjes, nuk mund të kalojë shifrën e 3 mijë personave dhe koha e qëndrimit të tyre do të jetë 28 ditë, aq sa është afati i shqyrtimit të kërkesës për azil.