AktualitetPolitikëTë fundit

Dorëhiqet kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala

Kryetarja e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala dha sot dorëheqjen nga drejtimi i kësaj bashkie. Në letrën e dorëheqjes drejtuar Këshillit Bashkiak të Himarës, Bala bën të ditur se dorëhiqet për arsye personale.

Blerina Bala ishte zv/kryetare e Bashkisë së Himarës, ndërsa mori detyrën si kryetare e komanduar Bashkisë së Himarës më 29 mars, me vendim të Këshillit Bashkiak.

Komandimi i saj në krye të Bashkisë së Himarës u vendos pasi kryetari i zgjedhur i Bashkisë Fredi Beleri u dënua nga Gjykata e Shkallës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për korrupsion zgjedhor. Ndërkohë, edhe kryetari në detyrë i Bashkisë Jorgo Goro u largua nga pozicioni për shkak të problemeve me drejtësinë. Në këto kushte, Këshilli Bashkiak i Himarës vendosi Blerina Balën si kryetare të komanduar.

“Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë. Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i kryetares së Bashkisë Himarë”, shkruan ndër të tjera Bala.

 

Fraksion.com