Balluku: Mbi 250 avionë ulen dhe ngrihen në ditë në Aeroportin e Rinasit
Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas është tashmë aeroporti me fluksin më të lartë në rajon, të pasagjerëve falë linjave të reja dhe veçanërisht mundësive për lidhje me vende që nuk ishin të lehta e të arritshme më parë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau në rrjete sociale pamje nga kulla e aerodromit, teksa shihen avionë të linjave të ndryshme.
“Mbi 250 avionë ulen dhe ngrihen në ditë në Aeroportin e Rinasit”, tha Balluku.
Ndërkohë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” po punohet për zgjerimin e terminalit, rehabilitimin e pistës dhe shtimin e numrit të vendqëndrimeve të avionëve.
Investimet janë thelbësore në rritjen e ndjeshme të kapacitetit të aeroportit duke iu përgjigjur fluksit të shtuar të pasagjerëve, teksa parashikohet që 2024-ta të jetë një vit akoma edhe më i suksesshëm sa i takon turizmit.
Vitin e kaluar në tremujorin e parë në aeroportin e Rinasit ka pasur 92 fluturime në ditë, ndërkohë që gjatë vitit 2024 janë 147 fluturime, një shifër që tregon rritjen e madhe të fluksit të pasagjerëve.
Fraksion.com