Reportazhi i RAI3 dhe akuzat e opozitës, Rama thirrje qytetarëve: Braktisini! Shkatërrojini në ditën e gjykimit
Kryeministri Edi Rama, në një reagim për dokumentarin e RAI 3, akuzoi opozitën si burimin e informacionit për gazetarin italian, që ka paraqitur vendin tonë si “narkoshtet.
Media italiane vetëm gatoi çorbën që iu servir këtu”, tha Rama nëpërmjet një videoje të shpërndarë “Facebook”, duke vazhduar më tej me një kërkesë drejtuar mbështetësve të opozitës. “Shkatërrojini në ditën e gjykimit”, u shpreh kreu i qeverisë, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme.
“Të paktën ana italiane e këtij bashkëprodhimi te neveritshëm, e pohoi me gojën e vet se nuk janë ata që mendojnë se Shqipëria është një narkoshtet, nuk janë ata drejtpërdrejtë që akuzojnë, po janë të tjerë, janë këtu, në mesin tonë, ndërsa ata thjesht gatuan një çorbë me prodhime bio shqiptare.
Tani unë nuk kam asgjë më shumë me palën italiane, me gazetarin italian jo e jo, ai erdhi më mori një intervistë, shërbeu dhe iku. Ua thashë në mes të Italisë që ditën e parë se çfarë ishte ai pseudo-investigimi i tyre, nuk lashë hapësirë e shteg në mediat e vendit mik pa ua përplasur syve të vërtetat dhe siç e patë, jo vetëm nuk iu shmanga ballafaqimit, po e postova të pacensuruar në këtë faqe. Sepse po të kisha gjëra për t’u shmangur apo pyetje për t’u sikletosur, nuk rrija në këmbë për të udhëhequr Shqipërinë, po ikja ulesha në bisht tek bahçja e shtëpisë.
Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare:
Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë! Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes që po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit. Ky vend ka kry punë me atë shpirt të keq që e persekuton qysh prej vitit 1912″.
Në fund të fjalës së tij, Rama u shpreh se “Shqipërinë nuk e ndal më asgjë dhe nuk ia përcakton më të ardhmen askush tjetër”.
Frwksion.com