Microsoft: Rusia fushatë dezinformimi për Lojërat Olimpike të Parisit
Rusia ka përshkallëzuar një fushatë dezinformimi në internet ndaj Francës dhe Lojërave Olimpike të Parisit, njoftoi kompania Microsoft nëpërmjet një postimi të dielën.
Fushata e dezinformimit përmban faqe lajmesh false dhe një film të gjatë dokumentar, të krijuara posaçërisht për të denigruar reputacionin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe për të krijuar përshtypjen se do të ketë dhunë gjatë lojërave olimpike verore, tha kompania Microsoft.
“Dezinformimi më shqetësues i përhapur nga faktorë pro-rusë paraqitet sikur vjen nga organizata militante dhe paraqet kërcënime të sajuara ndaj Lojërave, ndërsa vazhdon konflikti Izrael-Hamas”, tha kompania.
Ambasada e Rusisë në Londër nuk iu përgjigj një kërkese për koment të dërguar nga agjencia e lajmeve Reuters nëpërmjet postës elektronike.
Kompania Microsoft tha se ka diktuar gjatë fundit të vitit 2023 raste të përhapësve të njohur të dezinformimit rus që publikonin imazhe “të prodhuara në rrugë dixhitale” ku duket sikur shfaqen murale në Paris, me kërcënime për izraelitët që do të ndjekin Lojërat Olimpike. Disa nga mesazhet i referoheshin vrasjes në vitin 1972 nga militantët palestinezë të 11 sportistëve të ekipit olimpik izraelit në lojërat e Mynihut.
Fushatat u bënë nga dy entitete me mbështetje ruse që kompania Microsoft i gjurmon me emërtimet Storm-1679 dhe Storm-1099, grup i njohur edhe me emërtimin “Doppleganger”. Duke përdorur 15 faqe interneti me lajme të falsifikuara në gjuhën franceze, grupi Doppleganger përhapi pretendimet e Rusisë për korrupsion në radhët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe për dhunë të mundshme gjatë zhvillimit të lojërave, tha kompania Microsoft.
Në qershorin e vitit të kaluar, grupi Storm-1679 prodhoi një film të gjatë dokumentar të titulluar “Olimpiket Kanë Rënë”, për të cilin kompania Microsoft thotë se synonte të nxinte imazhin e drejtuesve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Kompania Microsoft thotë se zëri i folësit kryesor gjatë filmit ishte i prodhuar nëpërmjet inteligjencës artificiale duke përdorur regjistrime të zërit të aktorit Tom Cruise. U përdor gjithashtu faqja e mesazheve me video Cameo për të mashtruar njerëz të njohur të skenës që të jepnin mbështetjen e tyre për këtë film.
Kompania Microsoft tha se kjo fushatë “sinjalizoi qartazi se prodhuesit e kësaj përmbajtjeje i kishin kushtuar kohë të konsiderueshme këtij projekti dhe demonstruan më shumë aftësi se pjesa më e madhe e fushatave të influencimit që kemi parë”, tha kompania Microsoft.
“Propaganda e Kremlinit dhe makineria e dezinformimit nuk ka gjasa të vetëpërmbahen në përdorimin e rrjetit të tyre për të dëmtuar Lojërat Olimpike ndërsa afron data e çeljes”, tha kompania Microsoft.
Fushata u intensifikua nga fundi i vitit të kaluar, pas vendimit të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik që atletët rusë të merrnin pjesë në lojëra si konkurrentë neutralë, tha kompania Microsoft.
Fraksion.com