Arrestimi i inspektorëve në Rinas, Balla: Po largojmë çdo ditë nga policia të inkriminuarit
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me aksionin për arrestimin e 9 punonjësve të aeroportit të Rinasit.
Përmes një mesazhi, Balla përgëzoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensfikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi.
REAGIMI I BALLES
Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, përmes të cilit po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e Policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.
Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi.