Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore 2024, maturantët do të testojnë njohuritë në gjuhën e huaj
Rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, nisin sot provimin e parë të Maturës Shtetërore.
“Sot është një ditë e rëndësishme për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të kryejnë Provimet e Maturës Shtetërore, duke filluar me gjuhën e huaj, gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe më pas me lëndët me zgjedhje. Ky moment shënon përfundimin e një etape dhe hapjen e kapitullit të ri në rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe aftësimit tuaj të mëtejshëm,” u shpreh ministrja.
“Një nga risitë e Maturës Shtetërore këtë vit është se ju të parët dhe brezat e tjerë pas jush do të keni mundësinë e gjenerimit të diplomës me vulë elektronike në sistemin e-matura, që është një hap përpara drejt modernizimit dhe digjitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve online,” tha ministrja, duke nënvizuar përpjekjet për një proces provimesh të organizuar dhe të sigurt.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit gjithashtu në fjalën e saj inkurajoi maturantët që të zgjedhin universitetet shqiptare për të vijuar studimet e tyre.
“Shumë prej jush e kanë vendosur tashmë ku do të studiojnë, të tjerë janë duke e vendosur pikërisht tani, por ajo që dua t’ju them është se sistemi ynë i arsimit universitar, universitetet tona, po ju presin krahëhapur për t’ju mbështetur në realizimin e aspiratave tuaja. Universitetet tona sot ofrojnë një gamë të gjerë programesh akademike që mbulojnë interesat dhe pasionet tuaja. Ato kanë hyrë tashmë në rrugën e ndërkombëtarizimit dhe po lidhin marrëveshje të shumta me universitete të ndryshme në botë për programe të përbashkëta dhe diploma të dyfishta, si dhe për kërkimin shkencor. Ne po punojmë çdo ditë që oferta akademike të jetë sa më e kompletuar dhe tërheqëse për ju, e mbi të gjitha, të garantojë punësimin e secilit prej jush.”
Fraksion.com