“Po përpiqemi të krijojmë vazhdimësi”, Gogu: Opozita të japë kontribut në komisionin antikorrupsion
Deputeti i Partisë Socialiste Toni Gogu, i cili është dhe nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian tha se Kuvendi ka seriozitetin maksimal për ta luftuar korrupsionin.
Sipas Gogut, mekanizmat për të luftuar korrupsionin janë ngritur me partnerët ndërkombëtarë, teksa shtoi se opozita duhet të japë kontributin e saj në komisionin e posaçëm antikorrupsion të ngritur me propozimin e mazhorancës një javë më parë në Kuvend.
“Beteja e shoqërisë sonë me korrupsionin është një betejë aq komplekse saqë ka kërkuar një sërë mekanizmash. Vetëm pak muaj më parë në mos gaboj, ende nuk është mbushur viti nga ndryshimet e ligjit të Këshillit Kombëtar të Integrimit, përmes të cilave forcuam mekanizmat kontrollues të këtij këshilli, duke fuqizuar rolin këshillimor që kemi”, tha Gogu.
“Vetëm javën e shkuar ky Kuvend ka ngritur një instrument të posaçëm, që është komisioni i Posaçëm për Mirëqeverisjen, Luftën ndaj Korrupsionit dhe Sundimin e Ligjit për të cilin jam i sigurt se ju zonja Tabaku dhe kolegët tuaj keni shumë për të ofruar në këtë drejtim”, shtoi Gogu.
Sipas Gogut, “ne si shumicë kemi propozuar një komision të posaçëm, një instrument rregullativ të posaçëm, që ka të bëjë me atë shtrat kompleks të luftës ndaj korrupsionit. Ka të bëjë me trashëgiminë shtetërore tonën, sfidat e tranzicionit, të kësaj kulture shtetbërëse me të cilën po ndeshemi dhe po përpiqemi të krijojmë në vazhdimësi”, shtoi Gogu.
“Kemi goxha për të propozuar, qoftë në rolin tonë individual si deputet, qoftë në rolin ligjor si Këshill në mekanizmin e posaçëm që ngriti Kuvendi i Republikës. Kështu që besoj, serioziteti është në pikën maksimale të Kuvendit për t’u ballafaquar me sfidën e luftës kundër korruspionit. Mekanizmat janë të themeluara bashkë me partnerët tanë strategjikë, në të gjitha nivelet”, tha Gogu.
“Roli koordinues dhe roli që një komision i posaçëm merr për të filluar dhe për të ndërtuar zakone shtetërore brenda parlamentit, por edhe përmes veprimtarisë parlamentare në të gjithë pjesën tjetër të shtetit, unë besoj që është përgjigja e duhur për këtë sfidë”, përfundoi deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu.
Fraksipn.com