Pensionet private i afrohen kufirit të 40 mijë anëtarëve
Tregu i pensioneve private vullnetare u rrit më tej në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se tregu iu afrua kufirit të 40 mijë anëtarëve.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve arriti në 39 910 anëtarë, në rritje me 4.53% që nga fillimi i këtij viti dhe me 7.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme dhe është në nivelet më të larta historike. Megjithatë, kjo rritje vjen mbi një bazë të ulët dhe depërtimi i këtyre skemave ngelet ende shumë modest.
Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat mbetet në afërsisht 3% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.
Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në pak më shumë se shtatë miliardë lekë, në rritje me 4.1.18% që nga fillimi i vitit dhe me 17.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare. Për nga vlera e aseteve, tregu i fondeve private ngelet ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.
Në fund të tremujorit të parë, në treg ishin aktive gjashtë fonde të pensioneve private, që administrohen nga katër shoqëri administruese.
Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 47.6% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 30.67%, Albsig Pension me 10.42%, Raiffeisen Pension me 10.13%, Smart Pension, me 1.03% dhe Sigal Pro, me 0.15%.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 40.82% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 30.5%, Raiffeisen Pension, me 20.72%, Albsig Pension me 7.53%, Smart Pension, me 0.4% dhe Sigal Pro, me 0.02%.
Në nëntor 2023, hyri në fuqi ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, që ka sjellë rritje të ndjeshme të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.
Me ligjin e mëparshëm, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas ligjit të ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj.
Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480 mijë lekë në vit ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh. Edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.
Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat. /Monitor.al