AktualitetTë fundit

Mashtrim me kreditë, ndalohen 4 punonjës të fondit “Besa” dhe noterja

Policia e Tiranës ka ekzekutuar 4 masa “Arresti në Shtëpi” për 4 punonjësit e Fondit ’Besa’ dhe noteren, ndërsa u shpall në në kërkim shtetasi L.V, 34-vjeç. Këta shtetas dyshohet se mashtruan qytetarët, duke u marrë pa dijeninë e tyre kredi dhe përvetësuar paratë.

Sipas njoftimit për mediet, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga 11 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke iu përvetësuar shumat monetare.

Shtetasi L. V., dyshohet se ka mashtruar shtetas të ndryshëm duke iu thënë se i nevojiteshin të dhënat e tyre për të çelur llogari bankare dhe për të tërhequr shuma parash nga banka, në mënyrë që ai të mos tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Pas çeljes së llogarive dhe tërheqjes së parave, ai i ka dhënë secilit shtetas nga 50 000 lekë si shpërblim. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. V. me anë të fotove të kartave të identitetit të këtyre shtetasve ka marrë kredi pranë disa institucioneve financiare, shuma parash që variojnë nga 5-7 milionë lekë të vjetra, të cilat janë transferuar në numrat e llogarive të shtetasve dhe pas tërheqjes janë përvetësuar nga shtetasi L. V. Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja M. D., e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.

Në përfundim të këtyre veprimeve, nga ana e punonjësve të institucionit financiar, konkretisht shtetasit L. N., (përgjegjëse zyre) L. P., dhe E. A., (oficerë kredie), janë mbajtur relacionet dhe vendimet e miratimit të kredive, të bazuara në të dhëna të rreme, të cilat nuk i përkasin palëve në cilësinë e debitorëve.

Sipas hetimit, personat e dëmtuar nuk janë paraqitur ndonjëherë në zyrat e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument për marrjen e kredive, nuk kanë nënshkruar kontratat noteriale për marrjen e kredive, nuk kanë pasur dijeni në lidhje me ekzistencën e kredive në emër të tyre. Punonjësit e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a kanë qënë plotësisht në dijeni të faktit se personat e dëmtuar nuk janë paraqitur në zyrat e tyre, për të aplikuar për kredi dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kredisë, por kanë plotësuar dosjen e aplikuesve me dokumente me përmbajtje të falsifikuar.

Sa më sipër, prokuroria njofton se “ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasi L. V., në bashkëpunim me shtetaset L.N., E.A. dhe L.P., kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit”, me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunin. Po kështu, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve””

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkoi të caktohet ndaj personit nën hetim L.V., masa shtrenguese e sigurimit personal “arrest në burg”. Të caktohet ndaj personave nën hetim L.N., E.A., L.P. dhe M.D., masa shtrënguese e sigurimit personal “arrest në shtepi”.  Të caktohet ndaj personit nën hetim M.D. edhe masa ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

Policia e Tiranës nga krahu tjetër njoftoi se ka ekzekutuar masat e sigurisë, teksa shpalli në kërkim shtetasi L. V., 34 vjeç, banues në Gjermani, për të cilin është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Fraksion.com