AktualitetPolitikëTë fundit

Konferenca, Rama: Përparim në indeksin e transparencës, e drejta e informimit parakusht për demokraci funksionale

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, edicioni i 15-të i zhvilluar në Tiranë.

Kjo konferencë është forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të Autoriteteve botërore rregullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencën.

Në fjalën e tij në konferencë  Rama tha se “jam shumë krenar për komisionerin dhe zyrën tonë të Komisionerit sepse puna që ai dhe ata kanë bërë është e jashtëzakonshme dhe fakti që Zyra e Komisionerit vlerësohet shumë lart përgjatë këtij rrugëtimit tonë që më fund të bëhemi një vend anëtar i Bashkimit Europian është tejet frymëzuese”.

Duke cituar fjalët e urta të Platonit, “Mund ta falim lehtë një fëmijë që ka frikë nga errësira. Tragjedia e mirëfilltë është kur të rriturit kanë frikë nga drita”,  Rama tha se “kjo është sfida si të bëjmë që të rriturit të mos i tremben dritës e si t’i bëjmë qeveritë e institucionet shtetërore të mos i tremben dritës”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e drejta për informim nuk është thjesht një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale. Natyrshëm kam kënaqësi të shoh përparimin e bërë nga autoritetet tona në indeksin e transparencës 2023 nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, ndërkohë jam mjaft i vetëdëijshëm që ky përparim thotë shumë për atë prej nga vijnë e ndërkohë tregon sërish se nuk është e mjaftueshme me aty ku duam të arrijmë”.

“Ja pse shumë shpejt në fund të qershorit do të mbajmë një konferencë të jashtëzakonshme vjetore për të drejtën e  informimit, të cilën e kemi konceptuar me Zyrën e Komisionerit si një ballafaqim përballë fakteve dhe institucioneve ndërmjet asaj që shkruhet në ligjet tona dhe asaj çka zbatohet”, theksoi Rama.

“Në fund të fundit nuk është çështja të kemi ligje, por edhe t’i zbatojmë ato edhe hendeku midis hartimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre është sfidë për shumë prej nesh. Ne jemi vende e njerëz që ndajmë një mendësi kur vjen fjala për të drejtën e informimit, por ndërkohë jemi të vetëdijshëm që nuk jemi suedezë”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “njohjen e parë të kësaj të drejte që daton që në 1776, në aktin suedez për lirinë e shtypit, e kuptojnë të gjithë sa e gjatë është rruga para. Për këdo këtu që është i ngjashëm me Shqipërinë, ne jetojmë në kohëra të teknologjisë. Kjo teknologji na jep ne vendeve në zhvillim një mjet që disa dekada më parë nuk ishte i pranishëm. Kësisoj na jep mundësinë të bëjmë një hap të jashtëzakonshëm drejt të ardhmes.

 

Fraksion.com