AktualitetPolitikëTë fundit

Kolegji i Evropës në Tiranë, Mogherini: Investim për integrimin e vendeve të rajonit drejt BE-së

Në Tiranë çeli sot dyert Kolegji i Europës me kursin 2 –javor për 24 nëpunës civil nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kolegji do të jetë i gatshëm të fillojë vitin e parë akademik këtu në Tiranë, në fund të gushtit, me grupin e parë të studentëve, të cilët do të studiojnë për një vit për programin master.

Rektorja e Kolegjit të Europës në Tiranë, Federica Mogherini në fjalën e saj në ceremoninë e nisjes së kursit vuri theksin në rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal dhe ndërlidhja në procesin e integrimit në BE.

“E fillojmë këtë trajnim 2-javor në Ministrinë e Jashtme dhe unë besoj se është shumë e rëndësishme dhe një investim shumë i lartë institucional dhe politik që Shqipëria po bën, jo vetëm për Kolegjin e Europës duke ngritur Kampusin këtu, por gjithashtu dhe për diversitetin e inisiativave dhe programeve dhe kontributeve që jepen nëpërmjet këtij kolegji. Nëpërmjet tij, ne mund të sjellim këtë frymë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Kolegji është investim dhe për integrimin e vendeve të rajonit dhe Shqipërisë drejt BE-së“, u shpreh Mogherini.

Ajo theksoi se ky është një prej kurseve të shumta që organizohen.

“Paralelisht me këtë, me aktiviteitn që nisim sot do të donim të zhvillonim edhe shumë aktivitete të tjera e trajnime të reja të realizuara specifikisht për nëpunësit e shërbimit civil, administratën dhe administratorë të tjerë drejt përafrimit me standardet e BE-së, drejt përgatitjes së terrenit për integrimin e gjithë rajonit në BE”, shtoi ajo.

Mogherini, duke iu referuar pozicionit të saj si Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, tha se ka kërkuar gjithmonë të punohet me rajonin për ta përgatitur atë drejt anëtarësimit në BE.

“Ju e dini që unë personalisht kam besuar se ne duhet të ecim së bashku përpara dhe kjo është në interes të BE-së. Unë besoj se me trajnimin që nis sot do të fillojë të zgjerohet edhe më tej kjo gjë. Ky trajnim ka pjesëmarrës nga të gjitta vendet e rajonit , me formim të ndryshëm, por me një qëllim të përbashkët , së pari për të zhvilluar lidhje më të mira, pavarësisht . Besoj se qëllimi i përbashkët është arritja e integrimit të rajonit në BE. Kjo gjë mund të bëhet vetëm duke qenë së bashku. Së dytë fitimin e njohurive, aftësive, rritjes së kapaciteteve, e krijimit të rrjeteve për ta bërë këtë anëtarësim real. Kemi shpenzuar një dekadë dhe kemi thënë gjithmonë se ne duhet të punojmë shumë me rajonit për ta përgatitur atë drejt anëtarësimit në BE. Kjo gjë ka filluar dhe duhet bërë reale “, u shpreh Mogherini.

 

Fraksion.com