Jep dorëheqjen kryeredaktorja e ‘Washington Post’, Sally Buzbee
Kryeredaktorja e Washington Post, Sally Buzbee, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj në gazetën prestigjioze amerikane, e cila së fundmi i është nënshtruar një ristrukturimi të madh. Kjo u njoftua nëpërmjet një emaili të dërguar tek i gjithë stafi nga drejtori ekzekutiv dhe CEO, William Lewis.
“Sally është një drejtuese e jashtëzakonshme dhe një ekzekutive mediatike shumë e talentuar që do të na mungojë shumë. I uroj asaj gjithë të mirat për të ardhmen” theksoi ai.
Buzbee, e cila tre vite më parë u bë gruaja e parë që drejtoi një nga mediat më të njohura në botë, do të zëvendësohet nga Matt Murray, ish-kryeredaktor i Wall Street Journal, deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të ardhshëm.
Në një artikull të botuar në gazetë thuhet se ‘ristrukturimi i papritur i drejtuesve të Post-it është pa dyshim lëvizja më e madhe e Lewis që nga marrja e detyrës si CEO në muajin janar.
Në email-in e tij, Lewis gjithashtu tha se ka në plan të nisë ‘një ndarje të re redaksie’ deri në fund të vitit, i fokusuar në ‘raportimin e mediave sociale dhe gazetari’ ndërsa synon për një audiencë që ‘dëshiron të konsumojë dhe të paguajë për lajme ndryshe nga ato tradicionalet’.
Largimi i Buzbee vjen në një kohë të trazuar për gazetën, pasi ka humbur 77 milionë dollarë (rreth 70 milionë euro) vitin e fundit, pranoi Lewis.
Fraksion.com