Investigimi i RAI3, Gazment Bardhi: Do kërkojmë debat parlamentar me Ramën, kryeministri duhet të…
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me investigimin e televizionit italian RAI3.
Bardhi shprehet se dokumentari i RAI3 tregon se Shqipëria është kthyer në narko-shtet nën qeverisjen e Ramës. Gazment Bardhi shprehet se PD do të kërkojë debat parlamentar me kryeministrin, duke shtuar se pas këtij investigimi, Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të hetohet në rolin e tij për fuqizimin e krimit të organizuar.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Lidhja e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe caktimi prej tij i Ergys Agasit si i deleguar i posaçëm për marrëdhëniet me organizatat kriminale nga Durrësi në Shkodër, nga Elbasani në Vlorë, është zyrtarizimi i dorëzimit të shtetit në duart e krimit të organizuar. Kjo minon demokracinë dhe vendos seriozisht në rrezik ekzistencën e shtetit. Janë po të njëjtat lidhje që dyshohet se kanë shndërruar edhe Shërbimin Informativ të Shtetit në një organizëm në duart e krimit të organizuar, duke zhbërë rolin kushtetues dhe ligjor të këtij institucione.
Investigimi i emisionit Report në Rai 3, si dhe pasqyrimi në mediat e tjera ndërkombëtare të këtij realiteti të trishtë për vendin dhe të ardhmen e tij europiane, meriton një trajtim serioz nga Kuvendi, sa kohë njëriu përgjegjës, Kryeministri Edi Rama, vijon në papërgjegjshmërinë e tij, të bëjë sikur nuk sheh dhe nuk dëgjon. Edhe gazeta serioze BILD konfirmon se hetuesit gjerman dyshojnë për përfshirjen e Olsi Ramës në trafikun e kokainës në Hanovër, veprimtari kriminale kjo e lidhur me ngritjen e laboratorit të Xibrakës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkojë zhvillimin e një debate parlamentar të enjten mbi këtë çështje, duke ushtruar përgjegjësitë e tij në raport me interesin publik dhe duke nxitur një debat real parlamentar për masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë për prerjen e lidhjeve të krimit të organizuar me qeverisjen.
Edi Rama duhet të jap dorëheqjen. Ai duhet të merret nën hetim për rolin e tij në lidhje me fuqizimin e krimit të organizuar, që gjatë qeverisjes së tij 11 vjecare, janë përfituesit më të mëdhenj të tenderave dhe statusit të investitorit strategjik. Edi Rama është sponsorizuesi politik i përfshirjes së krimit të organizuar në Parlament dhe qeverisje, duke i dhënë atyre statusin e të paprekshmëve për 11 vjet. Heshtja e institucioneve përgjegjëse ligjzbatuese është bashkëfajësi
Fraksion.com