Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, Muçaj: Parashikojmë rreth 2.3 milionë udhëtarë në vit
Komisioni për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë miratoi sot marrëveshjen e huasë që i hap rrugën ndërtimit të hekurudhës që lidh Vorën me Hanin e Hotit.
Marrëveshja e huasë mes Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, u prezantua në Komisionin për Politikën e Jashtme nga Enkelejda Muçaj, zv.ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas Muçës, ky projekt do të përfundojë brenda vitit 2030. Sipas saj në projekt janë parashikuar ura e tunele, ndërsa do të jetë linjë e elektrifikuar, që mbron mjedisin.
“Kjo linjë parashikohet të ketë shpejtësi 120 km/h. Do jetë një linjë e elektrifikuar hekurudhore. Është ky parametër, përveç standardeve evropiane, pra miqësore me mjedisin. Projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj. Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks prej 2 300 000 udhëtarë/vit dhe volum mallrash prej 900 000 tonë/vit. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë. Nga pikëpamja e organizimit janë realizuar të gjitha përgatitjet. Kemi një paketë financimi që do të mbështesë funksionimin e kësaj njësie”, tha Muëaj.
“Shuma e huasë do të jetë 98 750 000 euro, e cila ndahet në dy transhe: një i angazhuar prej 84 500 000 euro, si dhe një transh i paangazhuar prej 14 250 000 eurosh, i cili do të angazhohet pas plotësimit të një sërë kushtesh të parashikuara në marrëveshje. Kohëzgjatja e pagesës së huasë do të jetë 17 vjet, duke përfshirë periudhën prej 5 vjetësh pa pagesë principali”, përfundoi Muçaj.
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli u shpreh se ky produkt do të nxisë zhvillimin rajonit të Shkodrës. “Unë e di që ky produkt i sjell sot është mund i shumë viteve që është punuar mbi projektitn, studimet e fizibilitetit. Ajo çka është më e rëndësishme është që kjo duhet të ishte pjesë e një axhende, që vjen si rrjedhojë e politikës së ndjekur nga qeveria shqiptare dhe axhendës së gjelbër të Komisionit Europianë 20/20. Ne kemi qenë dëshmitarë, kur zonja Ursula Von Der Leyen, lançoi projektin e madh të mbështejtes për Ballkanin Perëndimor. Mbështetja është një gjë, por krijimi i projekteve të përbashkëta është një tjetër, pasi projekti nuk përfund tek Hani i Hotit, por projekti vijon më tej se Hani i Hotit. Shqipëria ka një pozicion të pëlqyeshëm strategjikë, ka dalje në det, që është dherruga më e shkurtër e shumë rrugëve kryesore. E mirëpres personalisht, dhe kam besuar shumë, e vijojë të besoj që Veriu i vendit ka merituar dhe duhet të vijojë të ketë më shumë investime. Më vjen keq, që një qytet, si Shkodra, lavdia e vendit, është lënë në udhëkryq për shumë vite dhe pa investime. Por jam e bindur se ky projekt është një përfitim i madh që i vjen atij qyteti dhe asaj zone”, përfundoi Kodheli.
Kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, një pjesë e së cilës do të mbulohet edhe nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH, BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Banka Evropiane e Investimeve.
Fraksion.com