FSHZH 3.2 milionë euro për marrëveshje kuadër, hartim masterplanesh e projektesh
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kërkuar që projektet teknike apo masterplanet për fusha të ndryshme që lidhen specifikisht me programin e tij të 2024-2026 të kalojnë përmes marrëveshjeje kuadër duke parashikuar kështu një fond limit prej 3.2 milionë euro për kompanitë fituese.
Përmes një procedure të çelur këtë të hënë në Agjencinë e Prokurimit Publik, Fondi ka specifikuar se bëhet fjalë për katër lote të veçanta dhe që detajet mbi projektet apo dtyrat specifike do të ndahen në një fazë të dytë të minikonkurseve.
“Shtrirja e objektit të punës do të behet sipas Lot-eve të mëposhtme, fazat e projektimit do të përcaktohen në fazën e II-te të minikonkurseve dhe jo domosdoshmerisht do të përfshihen të gjitha shërbimet e cituara në LOT-et e dhëna. Në fazën e minikonkurseve paketat do të përcaktohen sipas nevojës së shërbimit që kërkohet për faza specifike” thuhet në dokumentet e procedurës.
Por cilët janë më saktë lotet për të cilat po këkrohet të lidhen marrëveshjet kuadër me fatat 48 muaj nga nënshkrimi i kontratës dhe fondet limit për secilin prej tyre?
– Loti 1: “Hartimin e masterplaneve, dhe/ose përgatitje ToRs, dhe/ose përgatitje të projekteve teknike të detajuara, dhe/ose të projekteve të zbatimit, dhe/ose përgatitje të dokumenteve për tenderim, për objekte të konektivitetit, rrugë dhe ura, furnizim me energji elektrike, rrjete telefonike dhe teknologji informacioni, rikualifikimit të shesheve urbane, mobilimit urban, parkime mbi tokë dhe nën tokë, infrastrukturave urbane, shëtitore dhe fasada, peisazhe, mbrojtje nga erozioni detar, erozioni lumor, trajtime ujërash dhe/ose çdo projekt tjetër me natyrë të ngjashme në ndërhyrje infrastrukturore mbi tokë dhe nën tokë”, me fond limit të marrëveshjes kuadër 166,666,667 lekë pa TVSH. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërise kjo vlerë konvertohet në 1,640,904.46 Euro.
-Loti 2: “Hartimin e masterplaneve, dhe/ose përgatitje ToRs, dhe/ose përgatitje të projekteve teknike të detajuara, dhe/ose të projekteve të zbatimit, dhe/ose përgatitje të dokumenteve për tenderim, për objekte civile, industriale, sportive, residenciale, publike dhe/ose kulturore, mbi tokë dhe nën tokë”, me fond limit të marrëveshjes kuadër 83,333,333 lekë pa TVSH. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë kjo vlerë konvertohet në 820,452.22 Euro.
-Loti 3: “Hartimin e masterplaneve, dhe/ose përgatitje ToRs, dhe/ose përgatitje të projekteve teknike të detajuara, dhe/ose projekteve të zbatimit, dhe/ose përgatitje të dokumenteve për tenderim, për objekte të trashëgimisë kulturore, restaurime të monumenteve të kulturës apo objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, realizimin e muzeve (bashkohore apo trashëgimi kulturore), galeri arti, arrredim/interiere dhe/ose muzealizim”, me fond limit të marrëveshjes kuadër 41,666,667 lekë pa TVSH. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërise kjo vlerë konvertohet në 410,226.11 Euro.
-Loti 4: “Hartimin e masterplaneve, dhe/ose projekteve teknologjike, dhe/ose projekteve te detajuara, dhe/ose përgatitje të termave të referencës, dhe/ose përgatitje të dokumenteve për tenderim, për objekte industriale, teknologji, informacion, objekte ekologjike miqësore me mjedisin, bio-teknologjike, me eficencë energjie, industriale, mekanike, impiante, sinjalistike, kontrolle aksesi, sisteme të automatizuara, impianti trajtimi ujërash, përpunim bimësh medicinale, përpunim qumështi, blegtori, bujqësi etj”, me fond limit të marrëveshjes kuadër 41,666,666 lekë pa TVSH. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë kjo vlerë konvertohet në 410,226.11 Euro./Monito.al
Fraksion.com