AktualitetBota+NATO/BETë fundit

“Përgatitje për skenarin më të keq”: Fortifikimet në zonën kufitare të Letonisë me Rusinë

Nga Krenare Cubolli

Në vendet kur dikur është dëgjuar vetëm zhurma e zogjëve dhe insekteve, tani janë zhvendosur pajisje të rënda që po hapin llogore të mëdha në kufirin mes vendit baltik të NATO-s dhe territorit të Rusisë.

Riga do t’i alokojë rreth 303 milionë euro në pesë vjetët e ardhshëm për një projekt madhor fortifikimi.

“Ne kemi në plan të gërmojnë përgjatë kufirit, më pas ta forcojmë zonën me ‘dhëmbë dragoi’”, ka thënë Kaspar Lazdins, inxhinier i lartë i forcave të armatosura të Letonisë, në disa komente për median LSM, në fillim të majit.

“Secili rajon do t’i ketë mundësitë e veta. Ne nuk planifikojmë t’i përdorim vetëm burimet shtetërore, por edhe kompanitë civile”.

Kamionë në radhë duke pritur në kufirin Letoni-Rusi.
Kamionë në radhë duke pritur në kufirin Letoni-Rusi.

Kur gazetarë të platformës North.Realities e Radios Evropa e Lirë e kanë vizituar zonën në kufi me Rusinë në Terehova të Letonisë, në zonë është parë një kolonë e madhe me kamionë.

Kjo zonë është më e qarkullueshmja në kufirin lindor të Letonisë, për shkak të një autostrade në afërsi që të çon direkt në Moskë. Nuk është larg as pika kufitare me Bjellorusinë.

Në vitin 2019, afër zonës kufitare Terehova ishte ndërtuar një mur gjembor për të pamundësuar kalimin e migrantëve ilegalë prej Rusisë.

Tani aty do të shtohen edhe fortifikime masive ushtarake, në kuadër të asaj që Riga e quan “plan për përforcim të kufirit lindor”.

“Kufiri nuk na pengon neve, ne kemi jetuar këtu gjithë jetën tonë dhe nuk i kushtojmë më vëmendje”, ka thënë Inna Dukshta, punëtore e administratës në Pasiene, fshat në afërsi me pikën kufitare në Terehova.

Një pronë në Pasiene.
Një pronë në Pasiene.

Në afërsi të pikës kufitare shihen edhe disa mbishkrime “Ne jemi NATO” në gjuhën letoneze.

“Ne nuk e dimë nëse tanket do të vijnë, mirëpo natyrisht që jemi të frikësuar”, ka thënë Yulia, nënë e re në fshat kur është pyetur për afërsinë me kufirin rus.

“Kam familje, kam fëmijë. Nuk po mendoj për këtë sot, por për atë që mund të ndodhë në 20 vjetët e ardhshëm”, ka thënë ajo.

Nikolai, burrë në moshë, nuk e ka këtë shqetësim.

“Do të ishte më mirë nëse këto 303 milionë euro do të investoheshin në rrugë”, ka thënë ai.

“Nëse, Zoti na rujtë, do të ketë luftë, të gjitha këto fortifikime nuk do të na ruajnë asgjë”.

Nikolai (djathtas), banor i Pasienes.
Nikolai (djathtas), banor i Pasienes.

Gennady, një tjetër pensionist, mendon ngjashëm.

“Nuk di asgjë për këtë hendek”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Në luftërat moderne, nuk ka asgjë më efektive sesa diplomacia. Ambasadat nuk duhet të mbyllen, marrëdhëniet diplomatike nuk duhet të shkëputen. Vetëm diplomacia e mban gjallë paqen”.

Para pandemisë së koronavirusit, dhe luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë, banorët e zonave kufitare në lindje të Letonisë kanë udhëtuar lirshëm në rajonin Pskov të Rusisë, ku kanë mundur të furnizohen me produkte me çmime me të volitshme.

Sikur shume vendbanime në kufirin lindor të Letonisë, Pasiene është fshat kryesisht rusishtfolës.

“Si mund t’i detyroni njerëzit që të flasin në gjuhën letoneze?”, ka pyetur Elena, mirëmbajtëse.

“Jam prej Letonisë, ne të gjithë jemi shtetas të Bashkimit Evroian, mirëpo të gjithë kemi studiuar në shkollat ruse – nuk kemi pasur tjera”, ka thënë ajo. “Ne kemi jetuar kështu gjithë jetën, është e pamundshme që të ndryshohen njerëzit”.

Më 1991, Letonia e ka fituar pavarësinë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ndonëse disa territore i kanë mbetur në Rusi.

Në vitet 2000, Riga ia ka bërë me dije Moskës çështjen e atyre tokave.

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk është përgjigjur me ton diplomatik.

“Ne nuk do ta negociojmë kurrë temën e pretendimeve territoriale”, ka thënë Putin, duke shtuar se Riga më parë mund t’i fitojë “veshët e gomarit të vdekur” sesa që do të fitojë kontrollin e atyre tokave.

Pllakë përkujtimore e kohës së Luftës së Dytë Botërore në Pasiene.
Pllakë përkujtimore e kohës së Luftës së Dytë Botërore në Pasiene.

Pas nisjes së luftës në Rusisë në Ukrainë, më 2022, Parlamenti i Letonisë i ka ndaluar festimet për 9 Majin, ditën kur Rusia përkujton fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste.

Në Pasiene vazhdon të jetë e vendosur një përmendore e periudhës sovjetike që nderon ushtarët e vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, mirëpo në pjesën jugore të kufijve mes Letonisë, Bjellorusisë dhe Rusisë, një “monument miqësie” është demoluar.

“Nuk më intereson për Rusinë dhe nuk ia di për parlamentin tonë”, ka thënë Inna, banore e Pasienes.

“Tani ata thonë se do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, mirëpo nuk e kam parë askënd që na është afruar për të biseduar. Ne jemi tokë e harruar këtu”, ka thënë ajo.

“Ne bëjmë jetë të zakonshme, mbjellim, plotësojmë aplikacionet për subvencione. Ne tentojnë të fitojmë para, të rrisim diçka, të jetojmë prej perimeve dhe bagëtive tona”.

Historiani Ilya Lensky beson se gardhi aktual përgjatë kufirit të Letonisë do të duhej të ndërtohej 30 vjet më parë, duke përmendur si referencë valën e madhe të migrantëve prej Lindjes së Mesme që kanë hyrë në Letoni prej Bjellorusisë.

“Njerëzit janë vazhdimisht duke ecur, duke tentuar të kalojnë. Kjo i dërrmon shërbimet kufitare”, ka thënë ai.

“Në të njëjtën kohë, ka tentime për t’i identifikuar problemet në zonën kufitare”.

Lensky beson se njëra prej arsyeve pse autoritetet bjelloruse shtyjnë migrantët në kufirin me Letoninë, është nxitja e dhunës.

“Pritjet janë që dikujt t’i shkatërrohen nervat dhe të nisin të shtënat me armë zjarri, të rritet propaganda që rojet kufitare të Letonisë kanë qëlluar për vdekje azilkërkuesit”.

“Diçka kësisoj do të ishte shumë e dobishme për ta, sepse propaganda ruse dhe bjelloruse për rajonin e Baltikut është se ata janë nazistë të papenduar të cilët nuk të japin bukë, por vrasin njerëz”, ka thënë historiani.

Një paradë e trupave të NATO-s në Rigë, për të shënuar 20-vjetorin e pranimit të Letonisë në aleancë. Mars, 2024.
Një paradë e trupave të NATO-s në Rigë, për të shënuar 20-vjetorin e pranimit të Letonisë në aleancë. Mars, 2024.

Igor Raev, ish-komandant i përgjithshëm i forcave tokësore të Letonisë, ka thënë se pavarësisht që është vështirë të mendohet pushtimi i Baltikut nga ana e Putinit, situata në Ukrainë shërben si paralajmërim.

“Marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën janë përkeqësuar me kalimin e kohës. Ajo që është konsideruar e pamundshme më 2008, është bërë e mundshme më 2014 dhe më 2022 ka ndodhur”, ka thënë ai.

“Ne nuk e dimë se si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen, si do të përfundojë konfikti në Ukrainë dhe çfarë do të ndodhë deri në fund. Prandaj, është më mirë të jemi të përgatitur për çfarëdo skenari”.

Raev ka thënë se fortifikimet që do të krijohen shpejt në kufi janë vetëm një element i masave të sigurisë së Letonisë.

“Strukturat mbrojtëse nuk kanë ndikim nëse njësitet tona nuk janë atje, duke shërbyer si barriera shtesë në linjën e mbrojtjes”.

Prezenca e NATO-s në shtetet e Baltikut është përforcuar dukshëm pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 2022 dhe Raev beson se Moska është varfëruar shumë në aspektin ushtarak, falë kalkulimeve të këqija të Kremlinit.

Eksperti ushtarak beson se do të duhen “të paktën pesë vjet” që Kremlini të rikthejë fuqinë e vet ushtarake.

“Derisa Rusia t’i kthehet potencialit të vet ushtarak, ne besoj që do të jemi gati”, ka thënë ai./REL

 

Fraksion.com