Java e Kulturës Italiane, Rama: Pafundësi emocionesh, të gjitha për t’u përjetuar në çdo grimcë
Shqipëria mikpret Italinë, nga data 2 deri me 8 qershor, në një javë të mbushur me një seri aktivitetesh kulturore e sportive.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi aktivitetet që do të organizohen në kuadër të kësaj jave duke nisur nga koncerte, opera, shfaqje moderne, sport e shumë të tjera.
“Koncerte, opera, shfaqje bashkëkohore, dizajn, arkitekturë, sport, konferenca, një pafundësi aktivitetesh dhe emocionesh, të gjitha për t’u përjetuar në çdo grimcë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Java Kulturore Italiane do të jetë e mbushur me aktivitete që përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e kësaj kulture që admirohet nga e gjithë bota dhe është një nga lokomotivat e kulturës së njerëzimit.
Nga Tirana në Gjirokastër, nga Saranda në Gramsh, Italia bëhet një me Shqipërinë në një festë të madhe të pasur me muzikë, art dhe solidaritet. Mrekullohuni me kërcimin në kornizën magjepsëse të teatrit të Butrintit, vraponi me të rinjtë në Run 4 Autism, shijoni artet bashkëkohore në Shkodër, kërceni në Vlorë e Gjirokastër me tarantën e më pas dj set, ekspozita, konferenca, ushqim.
Java e Italisë është kjo dhe shumë më shumë.
Më 7 qershor do të mbahet koncerti i artistit të mirënjohur, Diodato.
Javët Kulturore Ndërkombëtare nisën më datën 2 maj, me javën kushtuar Bashkimit Evropian, vijuan me Javën Kulturore Franceze e Javën Kulturore Greke.
Ato do të mbyllen në fund të nëntorit me Javën Kulturore të Kosovës, që ashtu si edhe në edicionet e tjera, përkon me javën e festës kombëtare.
Fraksion.com