Ushtria izraelite vë në shënjestër tunelet e Hamasit në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit
Ushtria izraelite tha se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin për të bllokuar tunelet nga kalon kontrabanda, ndërsa përpiqet të shkatërrojë grupin militant Hamas.
Marrja nën kontroll e Korridorit të Filadelfit mund të ndërlikojë marrëdhëniet e Izraelit me Egjiptin, që ka shprehur pakënaqësinë lidhur me përparimin e Izraelit drejt kufirit të tij. Izraeli thotë se ky korridor është i mbushur me tunele nga ku hyjnë kontrabandë armë dhe mallra të tjera për Hamasin – pavarësisht nga bllokada shumëvjeçare e vendosur nga Izraeli dhe Egjipti.
Izraeli vazhdoi gjithashtu inkursionin në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku qindra mijëra palestinezë po strehohen për t’u shpëtuar luftimeve dhe ku dhuna e intensifikuar e ditëve të fundit ka shkaktuar vdekjen e dhjetra palestinezëve.
Egjipti thotë se çdo shtim i numrit të trupave në zonën strategjike kufitare do të shkelte marrëveshjen e paqes të vitit 1979 dhe është ankuar për marrjen nën kontroll nga Izraeli të pikës kufitare Rafah, i vetmi vendkalim midis Gazës dhe Egjiptit.
“Korridori i Filadelfit shërben si linjë oksigjeni për Hamasin dhe përmes tij Hamasi kryen rregullisht kontrabandën e armëve në Gazë,” tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admiral Daniel Hagari.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se Izraeli e kishte njoftuar Egjiptin për aksionin. Duke folur në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret ushtarake, zëdhënësi tha se ishin gjetur rreth 20 tunele si dhe 82 pika nga mund të hyhej në këto tunele. Nuk ishte e qartë nëse tunelet ishin aktualisht në përdorim. Korridori është pjesë e një zone më të madhe të çmilitarizuar përgjatë gjithë kufirit Izrael-Egjipt.
Sipas marrëveshjes së paqes, secila nga palët lejohet të vendosë vetëm një numër të vogël trupash ose rojesh kufitare në zonë, megjithëse këto numra mund të modifikohen me marrëveshje të ndërsjellë. Në kohën e marrëveshjes, trupat izraelite kontrollonin Gazën, derisa Izraeli i tërhoqi forcat e tij në vitin 2005.
Televizioni shtetëror i Egjiptit, Al-Qahera News, njoftoi se nuk kishte pasur “asnjë komunikim me palën izraelite” në lidhje me pretendimet për gjetjen e tuneleve në kufi. Egjipti ka shprehur vazhdimisht shqetësime se ofensiva izraelite mund t’i shtyjë palestinezët matanë kufirit – një skenar që Egjipti thotë se është i papranueshëm.
Hamasi e ka pasur nën kontroll kufirin që nga marrja e Gazës në vitin 2007 dhe që atëherë janë hapur tunele kontrabande nën kufirin Gazë-Egjipt për të shmangur bllokadën izraelito-egjiptiane.
Gjatë dekadës së fundit ushtria egjiptiane ka goditur tunelet dhe ka shkatërruar qindra prej tyre.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të mërkurën se zyrtarët izraelitë e kishin informuar ekipin e presidentit Joe Biden se kapja e Korridorit të Filadelfit do të ishte në përputhje me operacionin tokësor “të kufizuar” në Rafah.
Po të mërkurën, Këshilltari i Sigurisë kombëtare i Izraelit, Tzachi Hanegb tha se lufta që filloi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, ka të ngjarë të zgjasë deri në fund të vitit – një parashikim i zymtë për një konflikt që ka shkaktuar vdekjen e dhjetra-mijëra vetëve, ka thelluar izolimin global të Izraelit dhe e ka çuar rajonin në prag të një konflikti më të gjerë./VOA
Fraksion.com