AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali: Vetingu në politikë po bëhet nga SPAK-u

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, vetingu në politikë po bëhet nga SPAK-u.

Duke replikuar me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian, Spiropali tha se, “parafolësi përmendi këtu Komisionin që do të votojmë sot, të cilin ne kërkojmë, synojmë dhe patjetër do ta bëjmë një Komision që përfshin, jo vetëm diskutime, analiza politike të ditës, por do ta ngremë në nivelin e një Komisioni, i cili do të përfshijë dhe do të prodhojë një plan kombëtar jo vetëm kundër korrupsionit, por edhe mbi mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit”.

“Ju keni një paqartësi historike, z. Basha, dhe kronike, sepse nuk ju përputhet asnjëherë ajo që thoni, me atë që bëni. Ju thoni me fjalë që mbështesni reformën në drejtësi, por atëherë kur nuk kishit kaq pak deputetë, të katandisur në një grup të vogël si pakicë e pakicës, dhe kur ishit në krye të asaj partie ju braktisët zgjedhjet dhe ju braktisët Kuvendin, pikërisht për të mos votuar ligjet që rridhnin nga reforma në drejtësi”, theksoi ministrja Spiropali.

“Ju flsini për vetingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit, kur vetë keni dëshmuar atëherë kur ju ishit në kalë, se sot s’keni ç’dëshmoni, se sot mund të propozoni gjithçka me lehtësinë e njeriut që s’ka asgjë në dorë. Por atëherë kur i kishit ju vetë keni shpëtuar me procedurë nga hetimet dhe gjykimet. Nuk i kishit në dorë ju, i kishte babai juaj politik, por patjetër, ju ishit dakord jo vetëm për fatin tuaj, por edhe për fatin e shumicës tuaj që mbrohej me gardianët e drejtësisë së vjetër, të cilën ju e kishit nën kontroll”, tha Spiropali.

Spiropali theksoi se vetingu në politikë po bëhet nga SPAK-u.

Sepse, shtoi ministrja, “SPAK-u heton politikanët dhe është pikërisht SPAK-u, të cilin ne e kemi lënë të lirë, i kemi çliruar duart dhe e kemi nxjerrë nga kontrolli politik, pikërisht për të bërë atë, për të hequr dhe imunitetet kur duhet, për të hetuar, për të çuar në gjykatë dhe për të dënuar, siç po ndodh sot e gjithë ditën, e siç nuk ndodhte asnjëherë kur ju ishit kaluar dhe pak më i ri se sot”.

 

Fraksion.com