AktualitetTë fundit

Dhuna ndaj avokatit Mëngjesi, Vishaj: Tentativë vrasje për shkak të detyrës

Kreu i Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj në një prononcim për mediet, tha sot se dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, nuk ka nuanca politike, por është një tentativë vrasje për shkak të detyrës.

Vishaj, duke iu përgjigjur interesit të medieve lidhur me dhunën e ushtruar një ditë më parë ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, tha se goditja ndaj një funksionari të drejtësisë është goditje ndaj shtetit.

“Ai aktualisht, me lot në sy e them, është në gjendje të rëndë, është vendosur në intubim”, tha Vishaj. “Ne sot lutemi dhe shpresojmë që të dalë nga gjendja e komas dhe të përmirësohet shëndeti i tij”, shtoi ai.

“Ajo që na shqetëson sot është që vënia dorë ndaj njerëzve të drejtësisë, sidomos ndaj avokatëve. Kemi çdo javë nga një avokat të dhunuar, kemi nga një avokat të dhunuar, gjyqtarë të dhunuar, mbase dhe prokurorët dhe gjyqtarët kanë nga një masë sigurimi. Njerëzit duhet të kuptojmë që ato ofrojnë shërbimin. Ofrimi i shërbimit ndaj njërës palë s’do të thotë se dëmtojnë interesat e palës tjetër në mënyrë personale. Kjo nuk ishte një rrahje, por ishte tentativë vrasje në krye të detyrës”, tha Vishaj.

“I them skeptikëve që e lidhin ngjarjen me çështje politike, duke i dhënë nuanca politike, se s’ka lidhej as majtas, as djathtas, ngjarja është për shkak të detyrës së tij funksionale. Ajo që ne të gjithë së bashku, edhe ju gazetarët, duhet t’i lutemi Zotit që profesori të dalë nga koma”, tha Vishaj.

Sipas tij, nga kjo ngjarje duhet të ishte ngritur i madh dhe i vogël. “Të gjithë duhet të ishin në këmbë për një shërbim të veçantë, siç është avokatia. Pa avokat, s’ka drejtësi”, përfundoi Vishaj.

Një ditë më parë avokati Sokol Mëngjesi u dhuna në zonën e ish-Bllokut. Policia njoftoi se Mëngjesi u dhuna nga Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërsa Romario Tabaku, i ka transportuar me makinë. Në vijim të veprimeve është shoqëruar Dritan Jani Nano, i cili u ndalua si organizator i kësaj ngjarje të rëndë kriminale.

 

Fraksion.com